Bashkia e Tiranës centralizoi shërbimin e pastrimit, tek kompania publike “Eco Tirana” nëpërmjet një procesi të paqartë. Veliaj akuzoi privatët se u tërhoqën nga kontratat dhe sabotuan qëllimisht pastrimin e Tiranës, por vetë kompanitë dhe marrëveshja mes bashkisë Tiranë dhe kompanisë “Eco-Tirana” tregojnë të kundërtën.
“Rënia dhe shkëlqimi i Eco-Tiranës”
E krijuar në vitin 2016, historia e komplikuar e “Eco Tirana” nisi kur Bashkia Tiranë lidhi një kontratë shërbimi me kompaninë për pastrimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane në qytet. Gjashtë vite më pas, në kulmin e debateve për skandalin korruptiv të inceneratorit, kjo nismë ende nuk ka gjetur zbatim. Fillimisht kjo kompani kryente pastrimin për “Zonën e kuqe”, por situata me mbetjet në kryqetytet këtë verë u përkeqësua deri sa nuk mund “të fshihej”.
Kryetari i bashkisë Erion Veliaj, pranoi situatën, duke u shprehur se “kjo ka ndodhur pasi kompanitë private që operonin, janë tërhequr nga dhënia e shërbimit”, por vetë kompanitë e mohojnë një gjë të tillë.
“Shoqëria Fusha shpk nuk është tërhequr nga asnjë kontratë shërbimi private/shtetërore për të cilën ajo është kontraktuar. Shoqëria jonë ka përfunduar kontratën e shërbimit në përputhje të plotë sipas kushteve dhe specifikimeve teknike të kontratës”, i tha Citizens.al një përfaqësuesi i kompanisë Fusha. Dy kompanitë e tjera nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga Citizens.
Nga leximi i kontratës së lidhur mes Bashkisë Tiranë dhe kompanisë “Eco-Tirana”, që Citizens.al e disponon, rezulton se ndryshe nga sa ka deklaruar publikisht Veliaj, nuk ka pasur një sabotim të pastrimit nga privatët. Kjo pasi zyrtarisht kontrata rezulton të jetë lidhur në mars 2024. Madje lëvizjet për të kaluar pastrimin në dorë të “Eco-Tirana” gjithë qytetin kanë nisur që një vit më parë.
