Komunikimet e zhvilluara në aplikacionin “SKY”, të mbëritura në Shqipëri nga Franca dhe Belgjika, kanë regjistruar një dosje penale në prokurori të posaçme që bën fjalë për ngjarjen e 4 Tetorit 2018, ngjarje kjo e ndodhur në qëndër të ish-bllokut në Tiranë.
Si pasojë e përplasjes së dy grupeve kriminale të Ervis Martinaj dhe Ervin Matës, në këtë ngjarje mbeti i vrarë, Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën rëndë biznesmeni i lojrave të fatit Ervis Martinaj dhe miku i tij, Eljo Hato.
I vetmi që bëri 7 muaj burg për këtë ngjarje, ishte i plagosuri Ervis Martinaj. Ndërsa bodigardi i Ervin Matës, Marviol Bilo, që qëlloi me pistoletë ndaj tre personave, nuk bëri asnjë ditë burg, megjithëse u dënua me 4.8 vite burg, duke ja kthyer këtë dënim në shërbim prove.
Të gjithë personat e përfshirë në konflikt duke filluar nga Eldi Dizdari, Fabiol Gaxha, Marviol Bilo, Fabiol Alushi, Eljo Hato, Geldo Hoti e deri tek Ervin Mata, mundën t’ia hedhin drejtësisë.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar përmes burimeve brenda SPAK se Prokuroria e Posaçme SPAK, ka hapur një seri kodesh të aplikacionit “SKY” , që janë përdorur gjatë periudhës 2019-2021 nga protagonistët e këtij konflikti.
Nëse do ketë vullnet për t`i shkuar deri në fund kjo çështje, pritet të kthehet në “bombën” toksike për sistemin e drejtësisë, duke konkuruar denjësisht me dosjen penale “Zarka”, ku u arrestua ish-drejtuesi i prokurorisë së Vlorës dhe u shpallën në kërkim biznesmeni Astrit Vldadi, oficerja e policisë Erjona Dautaj dhe avokati nga Fieri, Radovan Çela.
Pasi në bisedat e administruara dalin disa punonjës të policisë së Shtetit, prokurorë, gjyqtarë e deri tek ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, që kanë manipuluar ekspertizat balistike të predhave dhe gëzhojave të sekuestruara në vendin e krimit.
Njëherësh shuma të mëdha eurosh janë dhënë për mosarrestimin nga policia i Marviol Bilos që ishte shpallur në kërkim, apo qoftë dhe për ndryshimin e masës së sigurisë për Ervis Martinaj nga “Arrest në burg” në detyrim paraqitje.
Në këto biseda ndërhyrjet, presionet, korrupsioni është ngjitur në kupolën e Policisë së Shtetit dhe shumë njerëz të Drejtësisë që kanë ushtruar detyrën e tyre në Gjykatën e Tiranës dhe Gjykatën e Apelit Tiranë.
Mësohet se dy kode të aplikacionit “SKY” të përdorura nga biznesmeni tashmë i zhdukur Ervis Martinaj, janë zbardhur totalisht.
Në kodin “NP8LS4” dhe një kod tjetër të përdorur prej tij, janë konstatuar një intesitet bisedash të zhvilluara me persona të tjerë, brenda rradhëve të policisë, e deri në gjykatë dhe prokurori, për kualifikuar akuzat penale ndaj të pandehurve.
Biznesmeni, Ervis Martinaj, fillimisht në këtë dosje është hetuar dhe mbajtur për 7 muaj në burg me akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim mbetur në tentative.
