Në Shqipëri përpjekjet për të zhvilluar traditën janë ringjallur në disa zona të vendit. Mjaft gra dhe vajza po mbështeten te përvojat më të mira të së shkuarës në këtë drejtim edhe pse ndeshen me mjaft vështirësi, për të siguruar tregjet. Përmes një projekti të fondacionit “JOSCELYN” në Elbasan, prej disa vitesh po funksionon një sipërmarrje sociale, që ka në thelb artizanatin dhe synon të rizgjojë dashurinë dhe pasionin për punimet në tezgjah.
Elbasani është ndër qytetet kryesore në Shqipëri, ku tradita ka një zanafillë të hershme. Me kalanë e saj në zemër të qytetit, dhe një historik të zhvillluar të zejeve, dhe punimeve artizanale, ky qytet duket sikur merr frymë nga shekujt. Gjatë 30 viteve të fundit, zhvillimet politike, sociale dhe urbane ndërhynë dhe këtu shpeshherë me kaos, e me gjurmë të errëta. Por mes tyre ka dhe disa përpjekje dhe zhvillime pozitive që synojnë të rikthejnë pjesën më të ndritur të së shkuarës së Elbasanit, traditën.
Në një nga pronat konfiskuara nga krimi i organizuar, prej 3 vitesh ka marrë jetë një nismë nga fondacioni “JOSCELYN” , “Tradita ime Artizanale” që ka në fokus gratë dhe vajzat. E mbështetur nga donatorë të huaj, kjo sipërmarrje sociale po rizgjon punimet artizanale me tezgjah. Janë 16 duar të grave dhe vajzave, që thurin qilima, bazuar në mendjen dhe përvojën e disa artizaneve të vjetra, si dhe në modelet e trashëguara në disa breza.
“U munduam fillimisht të gjejmë artizanet e vjetra të cilat kishin punuar në ish-ndërmarrjen artistike të Elbasanit dhe e ngritëm këtë sipërmarrje. Nuk kishim përvojë në fillim nga ky profesion. Ato na dhanë gjithçka kishin dhe dinin në lidhje me punimet artizanale. Madje pati artizane të vjetra në këtë zone, të cilat sollën vizatimet që kishin”- tregon për Zërin e Amerikës Drita Krasniqi, menaxhere e Fondacionit “JOSCELYN”.
Në këtë sipërmarrje modeste, prodhimi i qilimave në tezgjah është procesi kryesor. Gjithcka bëhet me dorë, duke përfshirë dhe endjen. Gratë me përvojë e trashëgojnë këtë zanat, jo vetëm nga nënat dhe gjyshet. Ato kujtojnë se si e kanë nisur para viteve 90, në ndërmarrjen artizanale të qytetit, e cila u mbyll në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve.
