Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, 8 shtator, dy avionë luftarakë rumunë F-16 u ngritën nga baza ajrore në Borca, një qytet afër kufirit me Ukrainën. Banorët e rajonit u paralajmëruan me mesazhe në celular për mundësi rreziku. Paralajmërimi u dha pasi sistemi rumun i vëzhgimit me radarë zbuloi një dron rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune. Droni thuhet se qëndroi atje për më shumë se 30 minuta dhe përfundimisht u kthye përsëri në drejtim të Ukrainës.
Nuk ishte ky incidenti i parë i këtij lloji në Rumani në territorin e NATO-s. Vetëm një ditë më parë, një dron rus u rrëzua në Letoni. Numri i incidenteve të tilla është rritur në katër javët e fundit dhe Rusia duket e gatshme të rrezikojë edhe më shumë. “Situata po përkeqësohet dhe NATO duhet të gjejë një përgjigje tani,” tha për Deutsche Wellen, Jamie Shea, ish-zëvendës ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfidat e reja të sigurisë.
Shea, tani një bashkëpunëtor i lartë në Friends of Europe, një institut kërkimi në Bruksel, argumenton se aleanca duhet “t’u japë anëtarëve të saj mbrojtje më të madhe”. Aleanca ka premtuar se do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.
A po teston Rusia NATO-n?
NATO ka dënuar shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nga Rusia, duke i quajtur ato “të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme”. Megjithatë, në një postim në rrjetin social X, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s në largim, Mirce Joana, theksoi se aleanca nuk ka asnjë informacion që “tregon një sulm të qëllimshëm nga Rusia ndaj aleatëve”.
