SHBA dhe BE “shuplakë” Ramës për mandatin e Xhaçkës, socialistët “puç” kushtetues me refuzimin e Gjykatës Kushtetuese

Data

Vendimi i marrë mesnatën e djeshme më Kuvend nga mazhoranca për të mos pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia dërguar asaj çështjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, duket se ka shqetësuar partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, sikundër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ambasadat e BE dhe SHBA në Tiranë kanë regjura duke i dhënë një “shuplakë” kryeministrit Edi Rama, ndërsa e kanë cilësuar e shqetësues veprimin e socialistëve për të shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Me anë të një deklarate të shpërndarë në platformën “X” dhe rrjetin social “Facebook”, ambasada amerikane në vendin tonë i bëri thirrje qeverisë që të respektojë ndarjen e pushteteve dhe t’u bindet vendimeve gjyqësore e kushtetuese, pasi në të kundërt siç thekson ajo, rrezikohet sistemi demokratik

“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për vendimin e djeshëm në parlamentin e Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vuri në dukje kryeparlamentari së fundmi, marrja e hapave të nevojshëm për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përgjegjësi thelbësore e Parlamentit dhe është gjithashtu thelbësore për parimin e ndarjes së pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës – të gjitha këto janë vendosur për të siguruar që një sistem demokratik të jetë i shëndetshëm dhe i lulëzuar”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

Reagon BE

Ndërkohë më herët gjatë ditës së djeshme reagoi në rrjetet sociale edhe zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, e cila deklaroi se ajo çfarë ndodhi nuk ishte një hap në drejtimin e duhur. Sipas zyrës së BE, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. “Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (Janar 2023). Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ç’ka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, thuhet reagimin e ambasadës së BE.

Reagon Spiropali

Nga ana tjetër, përgjigjen ndërkombëtarëve ua dha kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila përmes një reagimi në rrjetet sociale theksoi dje se sapo të marrin opinionin nga Komisioni i Venecias do të veprojnë pa humbur asnjë ditë kohë. “Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, shkroi Spiropal

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related