Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar dje masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi si dhe për nënkryetarin e kësaj Bashkie, Abedin Kërrnaja. Ata u denoncuan pasi kanë miratuar nisjen e punimeve të një rruge pa projekt zbatimi dhe pa preventive, por vetëm me një projekt ide. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Prokuroria e Posaçme thotë se Byberi dhe Kërrnaja kanë shkelur ligjin në për ndërtimin e dy rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 277. 611.520 lekë. Dy hetimet e nisura nga organet vendore të qarkut Kukës përkatësisht në vitin 2021 dhe 2023 i kanë kaluar për kompetencë SPAK. Sipas drejtësisë, kryetari i Bashkisë dhe nënkryetari kanë shkelur ligjin “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit për hapjen e dy rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Bëhet fjalë për vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak për ndërtimin e rrugës Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2 km, totalisht ndërtim i ri, i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese. Ndërkohë dhe vendimin e marrë për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi- Qafë Agri”. “Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore, pasi për kryerjen e punimeve për hapjen e një rrugë të re, duhej të bëhej aplikimi në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh”, thotë SPAK.
