Turizmi, edhe këtë vit, pritet të ketë bilanc pozitiv, duke tejkaluar vitin më të mirë historik që është 2023, por sezoni veror në vetvete zhgënjeu. Qershori dhe pjesa e parë e korrikut, sipas strukturave akomoduese në disa rajone, patën rënie të rezervimeve me 15-25%, teksa gushti paraqitet më mirë. Për Sarandën dhe Ksamilin, operatorët turistikë pohojnë se ky është një sezon më i dobët se një vit më parë. Turizmi individual i rërës dhe detit në tërësi regjistroi sukses zhgënjyes, ndërsa segmenti i turizmit të organizuar duket se po njeh rritje të vazhdueshme. Volumi i kontratave me garanci në Golem, Durrës dhe Vlorë për verën 2025 ka shënuar rritje me 20%. Verën tjetër rikthehen nordikët me chartera nga aeroporti i Vlorës.
Nertila Maho
Shqipëria, e kthyer në një destinacion viral gjatë vitit 2023, ka arritur të tërheqë pranë vetes edhe në 2024 një numër të konsiderueshëm turistësh që sidomos në periudhën janar-maj krijoi idenë se vera do të ishte një sukses i padiskutuar.
Por duket se pritshmëria dhe realiteti nuk arritën të materializoheshin plotësisht, duke krijuar një efekt disi zhgënjyes për sezonin veror ku muajt qershor, korrik dhe më pak gushti kanë shfaqur luhatjet e tyre. Në terma të flukseve turistike, shifrat zyrtare raportojnë se kemi më shumë turistë, në terma të konsumit dhe qarkullimit të përgjithshëm, trendi është i kundërt, të paktën nga ajo që thonë strukturat akomoduese dhe bar-restorantet.
Për korrikun, shifrat zyrtare tregonin se hyrjet e shtetasve të huaj ishin me rritje vetëm 2.7%, teksa të gjithë muajt paraardhës ishin me rritje dyshifrore me një rekord të shkurtit kur rritja ishte 55.35% në raport me shkurtin 2023. Kjo konfirmonte pak a shumë shqetësimin e bizneseve turistike se gjatë qershorit dhe deri në mes të korrikut, numri i rezervimeve ishte më i ulët se një vit më parë. Në total, në vendin tonë, deri në fund të korrikut hynë 6.36 milionë shtetas të huaj, por edhe pse kjo shifër ishte 23% më e lartë se 7-mujori i një viti më parë, konsumi në shërbime turistike mbeti i vakët.
Kjo sipas operatorëve turistikë ka të bëjë së pari me faktin se marketimi gjerësisht si një destinacion i lirë ndryshoi tipologjinë e turistit që po na viziton dhe për rrjedhojë, edhe tendencën e tyre në shpenzime. Së dyti, rritja e çmimeve në disa raste me dyfishim të tyre në disa rajone, solli hezitimin e një grupi të konsiderueshëm (kryesisht italianë mes të cilëve pati anulime). Së treti kishte një prani më të ulët të shqiptarëve të Kosovës.
Edhe pse në shifrat e raportuara, ky grup rezulton me rritje mbi 22% deri në maj, në fakt sipas strukturave akomoduese në zonën e Durrësit, Golemit, Velipojës e Shëngjinit, prania e tyre ka qenë ka qenë më e ulët. Diçka e tillë pritej pas liberalizimit të vizave për Kosovën në fillim të këtij viti, por një efekt frenues mund ta ketë dhënë edhe perceptimi se Shqipëria u bë e papërballueshme në verë. Mes gjithë ngjyrave që shfaqi ky sezon veror, ajo që u vu re ishin disa pësime dhe mësime/reagime të shpejta siç ishin çmimet, të cilat u korrigjuan në fillim të korrikut dhe që do të mundësojnë që edhe ky vit të mbyllet pozitivisht edhe pse jo aty ku synohej. Kontributin kryesor në korrigjimin e gabimeve të verës pritet që ta bëjë vjeshta, me turet kulturore që sipas operatorëve turistikë do të jenë në nivele të kënaqshme.

Saranda dhe Ksamili, sezon më të dobët se 2023, më shumë turistë, por kursimtarë
Në fund të kësaj vere është më e lehtë të bësh një bilanc për tre muajt kryesorë të saj dhe sipas operatorëve turistikë, Saranda dhe Ksamili patën një sezon më të dobët se viti 2023. Arben Çipa, administrator i Sipa Tours dhe njëkohësisht pjesë e Shoqatës së Hotelierëve në Sarandë, pohon se numri i turistëve është më i lartë, por tipologjia e tyre, ku kemi të bëjmë me turistë kursimtarë ka sjellë më pak të ardhura te bizneset.
“Është një sezon më i keq se viti i kaluar. Ka më shumë turistë, por ka më pak të ardhura, sepse ka ndryshuar tipologjia e turistit. Nga një destinacion për familjarë, ku dominonte mosha e mesme dhe e tretë, e gjetëm veten me një turist të ri, që nuk preferon të shpenzojë, por të eksplorojë me sa më pak para.
