Ekspozita “Eksperiment i vazhdueshëm” përmban tre cikle punimesh. Genci Kadriu është artisti i radhës që vjen në “Parking Art Gallery”. Tre cikle punimesh që prezantohen në këtë ekspozitë personale janë në teknika të ndryshme si vizatim, (stilolaps në letër), bojë kine, pastelit në letër dhe skulpturë (miniaturë). Ekspozita është e kuruar nga Sead Kazanxhiu, që sipas të cilit kjo është ekspozita e nëntë që hapet në këtë galeri arti në Tiranë. ““Eksperiment” vjen si një kërkim dhe ndjesi e artistit për të elaboruar elementët kulturorë dhe estetik të veshjeve folklorike Maqedonase, dhe skulptura të vogla në miniaturë të figurave të ndryshme të trajtuara si aksesore (unaza).
Në të njëjtën kohë, vëmendje të veçantë i ka kushtuar dhe figurës së gruas duke vizatuar portrete në teknika të ndryshme. Sipas Gencit nuk ka ndonjë filozofi të veçantë përveç elaborimit të teknikës së pastelit dhe bojë tushi, ndërkohë duke u përsëritur shpesh portretet tërheqin vëmendjen në punën e tij”, thotë kuratori. Në tekstin kuratorial Kazanxhiu shprehet se skicat me motive folklorike pa titull 2015-2017 vijnë si një inspirim i artistit nga veshjet e koncertit të Ansamblit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, “TANEC”. “Skicat paraqesin alternim të pasurisë kulturore dhe etnografike të Maqedonisë së Veriut -veshjet tradicionale maqedonase, si dhe antikitetin prehistorik, objekte qeramike, vazo, të gjetura nga gërmimet arkeologjike të periudhës Neolitike, -Mazhdari , etj”, thotë kuratori, të cilat sipas tij artisti i sjell nëpërmjet skicimit të veshjeve tradicionale dhe si copëza të kërkimit të tij artistik dhe identitar.
Skulpturat në miniaturë dhe portretet në pastel
Pjesë e ekspozitës janë dhe portretet në pastel dhe bojë kine pa titull 2022-2024. Për kuratorin Sead Kazanxhiu është një lojë ngjyrash në teknikën e pastelit, parë si art më vete në fletën e vizatimit, si një estetikë treguese, paraqitëse, jo si një aksesor ndihmës për qeramik. Në “Eksperiment i vazhdueshëm” cikli i skulpturave në miniaturë përmban 7 skulptura me përmasat 6×6 cm 2017-2024, të cilat artisti i trajton si aksesorë (unaza). Kuratori Sead Kazanxhiu thotë se ato paraqesin sfidën e artistit në realizimin e disa portreteve, personalitete të spikatur të kulturës shqiptare dhe botërore. Genci Kadriu është skulptor qeramist, diplomuar në Akademinë e Arteve Tiranë në degën Qeramikë në vitin 1994. Punon dhe jeton në qytetin e Fierit.
Kadriu ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit. Ndër to ai liston disa prej tyre si: ekspozita personale në TE & GE Gallery, Tiranë, 1995, Shoqata e Qeramistëve Shqiptarë në Galerinë Moarusi Athinë 1998, Onufri Galeria Kombëtare e Arteve 1996, Ekspozitë e përbashkët me qeramist, Galeria Kombëtare e Arteve 2022. Nëpërmjet punës së tij Genci eksploron elementët identitarë të vendit të origjinës dhe të kulturës dhe historisë Shqiptare si pjesë e pandashme të formimit të tij kulturor dhe identitar. Ekspozita “Eksperiment i vazhdueshëm” vijon deri më datë 27 këtë muaj.
