U akuzua si bankieri kriminal i nëndheshëm i miliona eurove, shqiptari dënohet me 7 vite burg (Emri)

Data

Dënim me 7 vjet burg ka dhënë një Gjykatë në Roterdam për 53-vjeçarin nga Saranda, Thanas Bako, i cili dyshohet si bankier kriminal i nëndheshëm i qindra milionë eurove. Ai ishte i përfshirë në “forma të rënda të krimit të organizuar”, shtoi gjykata.

Thanas Bako pranoi pak kohë më parë se “bëri disa gjëra të gabuara”, por sipas tij, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një mesazher që merrte mesazhe dhe i dërgonte ato. Avokati i tij mohoi pretendimin se ai ishte “një bankier i madh i botës së krimit” gjatë trajtimit të çështjes muajin e kaluar. Megjithatë, gjykata e pa atë si kreun e një organizate kriminale që punonte për pastrim parash. “Ai luajti një rol të rëndësishëm dhe të domosdoshëm,” shtoi gjykata.

Bako u arrestua në Athinë më 31 maj të vitit të kaluar me kërkesë të Holandës dhe tani ndodhet në një qeli holandeze për më shumë se një vit. Ai thuhet se ka udhëhequr një rrjet korrierësh në Holandë nëpërmjet komunikimeve kripto, i cili ka lëvizur pothuajse një çerek miliardë euro në para për kriminelët. Kjo do të kishte ndodhur në periudhën midis qershorit 2020 dhe marsit 2021.

Rrjeti thuhet se ka funksionuar nga zyra të ndryshme në Holandë, duke përfshirë Uateringen dhe Amsterdam. Anëtarët e rrjetit të korrierëve u dënuan me vite burg në fillim të këtij viti. Në fund të vitit të kaluar, Greqia dhe Prokuroria Publike shqyrtuan mundësinë e marrëveshjeve për një dënim të mundshëm, por kjo nuk u bë e mundur.

I konsideruari nga Europoli si “një pastrues i njohur parash, që pastronte paratë e pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë”, ai u arrestua pas një hetimi të FBI pas zbulimit të komunikimeve të tij në aplikacionin “ANOM” ku vepronte me porosi të trafikantëve në Dubai e Holandë për të transferuar miliona euro nga një vend në tjetrin.

Së fundmi kanali “Holland Crime Boulevard” në Youtube ka transmetuar një dokumentar lidhur me historinë e sarandiotit 52 vjecar, që edhe pse i “zhdukur” prej vitesh nga jeta publike në qytetin bregdetar, njihej prej viteve ‘90 për lidhjet e tij me trafikantët sarandiotë që trafikonin kryesisht marijuanë nga Saranda në Greqi, por në një rast ishte identifikuar edhe për lidhje me trafikantë anglezë droge. Edhe pse me asnjë precedent penal në Shqipëri e Greqi ku jetonte së fundmi, pas kthimit nga Kanadaja e Holanda, veprimtaria e tij u zbulua pikërisht nga hetimet e FBI e më pas policisë holandeze në bashkëpunim me Europol.

Sipas dokumentarit të “Holland Crime Boulevard”, Thanas Bako kishte krijuar prej 10 vitesh një rrjet korrierësh që transportonte para. Korrierët kryesisht ishin hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash. Këta ishin njerëz jo të dyshimtë, gjithnjë në lëvizje që edhe nëse parkonin furgonat anës rrugës, askush nuk do të dyshonte, sepse do të mendonin se ishin aty për të kryer punën. Furgonat kishin vende të improvizuara ku fshiheshin paratë. Gjëja më e rëndësishme për Bakon ishte që këta persona mos të kishin rekorde kriminale, sepse policia mundet që përmes targës së makinën të identifikojë pronarin dhe precedentët e tij.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related