Tensionet Kosovë-Serbi/ Analiza e REL: Edhe nëse ka dialog, s’priten rezultate

Data

Këmbëngulja e Bashkimit Evropian mund të çojë në një rund të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por analistët e çështjeve politike, Arton Demhasaj dhe Dushan Janjiç, dyshojnë se ai do të sillte ndonjë rezultat pozitiv.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, la të kuptohet se këtë javë mund të vizitojë Prishtinën për, siç tha, përgatitjen e rundit të ri të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës rreth këtij paralajmërimi dhe marrjes së ndonjë ftese nga BE-ja për ndonjë takim eventual, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk u përgjigj.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, u takuan për herë të fundit në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se insistimi i BE-së për një rund të ri të dialogut Kosovë-Serbi do të jetë i pafrytshëm, derisa palët ta shmangin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

E njohur si Marrëveshja e Ohrit, ajo është arritur para më shumë se një viti, por asnjë pikë e saj nuk është zbatuar dhe për këtë palët fajësojnë vazhdimisht njëra-tjetrën.

Për më tepër, shton Demhasaj, Kosova ka caktuar 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe, sipas tij, vendi është tashmë në para-fushatë zgjedhore.

“Është naive të presësh – sidomos në rastin e Kosovës – që mund të ketë ndonjë lëvizje, në kohën kur Kosova është para zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Bashkimi Evropian mund të insistojë që të ketë takim. Mbase edhe mund të ndodhë takimi, por rezultati i takimit ka për të qenë zero”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Demhasaj, një pjesë të përgjegjësisë e hedh edhe te Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut. Sipas tij, BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen në këtë proces.

“Derisa nuk e ndryshon – pra të caktojë afate kohore për palët që t’i kryejnë obligimet që i marrin nga marrëveshjet që i arrijnë, të marrë masa ndëshkuese ndaj palës që nuk i kryen obligimet – mendoj se kështu kemi për të vazhduar ndoshta edhe me vite”, thotë Demhasaj.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Ai thotë se BE-ja, në këtë fazë, mund t’ia dalë t’i ulë bashkë Bislimin e Petkoviçin, por jo udhëheqësit politikë – kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related