SPAK gati të hapë dosjen e shekullit, djali i Remzi Hoxhës nxjerr për herë të parë faktet tronditëse: Ja personat që…

Data

Djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha ka folur për zhdukjen e të atit të tij, që familja nuk ia gjeti kurrë eshtrat, ndërsa ka nxjerr për herë të parë faktet “bombastike” sa i takon kësaj ngjarje të rëndë që me të drejtë mund të konsiderohet si vrasja dhe dosja e shekullit. Paraditen e datës 21 tetor 1995, katër persona të prezantuar si punonjës të SHIK-ut, kanë marrë me makinë biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, teksa ky i fundit ndodhej në firmën e tij të duraluminit “Albatros”. Sipas dëshmitarëve, Remziu u fut në një makinë me ngjyrë të bardhë, dhe pas askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të. Por ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli. Të mbijetuar nga torturat gjatë hetimeve të vitit 1997, ata rrëfyen se SHIK-u i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar, duke i akuzuar si agjentë të huaj. Për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk dinin se ku kishte përfunduar. Por në një intervistë ekskluzive për gazetën , djali i Remzi Hoxhës ka treguar arsyen pse u zhduk trupi i tij pa lënë asnjë gjurmë, personat përgjegjës dhe rolin e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha në këtë ngjarje të rëndë. I drejtpërdrejtë në ato që thotë, zoti Ardian Hoxha zbulon gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, personat që janë implikuar në rrëmbimin, torturimin, vrasjen dhe zhdukjen e babait të tij, ndërkohë që vë në dukje se si njërin prej tyre e ndihmoi të arratiset dhe po e mban me lekë Sali Berisha, i cili sipas tij, është personin kyç që mund të zbardhë çështjen. Po ashtu, ai shpreson se tani që Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të rihapë dosjen e vrasjes së të atit të tij, Remzi Hoxhës dhe do të merret me këtë çështje siç duhet, personat përgjegjës do të japin llogari para drejtësisë.

-Zoti Hoxha, faleminderit që pranuat ftesën për intervistë. Gazeta si media më e vjetër dhe më e madhe në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë një dritare mediatike për këdo që dëshiron të denoncojë çdo padrejtësi. Ndër vite ne si media kemi denoncuar dhe publikuar gjithçka që ka lidhje ne babin tuaj të ndjerë dhe të nderuar, i cili u zhduk dhe humbi jetën në mënyrë të mistershme e tragjike në vitin 1995. Sot që flasim ne ndihemi të trishtuar dhe zhgënjyer që edhe pse kanë kaluar thuajse 29 vite, autoritet ligjzbatuese nuk kanë arritur ende ta zbardhin këtë ngjarje të rëndë, duke çuar para drejtësisë të gjithë përgjegjësit që janë përfshirë në torturimin, vrasjen dhe zhdukjen e të ndjerit Z. Remzi Hoxha. Kështu që pa humbur po nis me intervistën. Zoti Ardian Hoxha, a mund të na jepni ndonjë informacion të fundit mbi hetimet për vrasjen e babait tuaj, Remzi Hoxha? Çfarë ka ndodhur deri më tani në lidhje me zbardhjen e ngjarjes dhe cili është statusi aktual i hetimeve?

Kanë kaluar më shumë se 28 vjet që ne po kërkojmë një gjë të thjeshtë dhe njerëzore, dhe ajo është të gjejmë eshtrat, të gjejmë mbetjet e babait tim, dhe t’i bëjmë atij një varr, ashtu si çdo qenie njerëzore. Dhe deri tani, nuk kemi arritur ta bëjmë këtë, dhe kjo sepse askush në Shqipëri nuk na ka ndihmuar të gjejmë trupin e vërtetë të babait tim, dhe askush në politikën, në qeverinë e Shqipërisë, nuk ka bërë një përpjekje të vërtetë për të na ndihmuar në atë drejtim. Ka pasur individë dhe parti politike që kanë përdorur emrin e babait tim sa herë që kanë dashur të hedhin gurë mbi ata që e kanë bërë, por kaq ka qenë. Nuk ka ndodhur asgjë më shumë. Dhe, sigurisht, ne jemi vërtet të zhgënjyer nga çdo politikan në Shqipëri, dhe nga kushdo në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, edhe nga prokuroria dhe çdokush tjetër. Çfarë mesazhi jep kjo për çdo shqiptar në mbarë botën?

-Jeni të zhgënjyer nga autoritetet shqiptare që se kanë vënë ujin në zjarr për ta zbardhur këtë ngjarje, e cila me të drejtë mund të quhet si vrasje e shekullit…

Sigurisht që jemi të zhgënjyer, sepse çdo person, çdo individ i thjeshtë, duhet të gjendet dhe të varroset, dhe familja duhet të vazhdojë përpara. Dhe babai im nuk ishte thjesht një dikush i zakonshëm. Babai im ishte një person që njihet në mbarë botën dhe veçanërisht në trojet shqiptare, dhe është një person që ka dhënë kaq shumë për lirinë që ne gëzojmë, për paqen që ne jetojmë, për ditët që ne jetojmë. Dhe ai me të vërtetë nuk e meriton këtë. Dhe çdo politikan në Shqipëri duhet të turpërohet për këtë.

-A ka pasur ndonjë njeri që tu thotë eshtrat janë në filan vend? Është për ju jetike ti gjeni eshtrat?

Po, ka pasur shumë raste që nga fillimi dhe më kujtohet se si xhaxhallarët e mi u torturuan emocionalisht dhe psikologjikisht nga njerëz që janë matrapazë e gangsterë, të cilët, për të marrë para nga dhimbja jonë, luanin me emocionet tona dhe na çonin te eshtra dhe te varre që ishin të njerëzve të tjerë. Dhe në një rast xhaxhait tim Nexhmedit gjithashtu i dhanë eshtra të një qeni, dhe ai duhej të paguante 30,000 dollarë për ato eshtra, përndryshe u kërcënua se edhe jeta e tij do të merrej. Sa për mua, unë kam hapur vetë mbi 100 varre, edhe duke e ditur që është e paligjshme ta bëj këtë, por kam marrë rrezikun sepse është fjala për babain tim dhe një djalë për një baba do të bënte gjithçka. Por fatkeqësisht, asnjë nga trupat, asnjë nga eshtrat nuk ishin të babait tim, sepse ne bëmë edhe testet e ADN-së, kështu që kjo është situata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related