Një grevë e përgjithshme në Izrael ndërpreu punën në banka, transportin publik, spitale, dyqane dhe aeroportin kryesor të vendit, pasi sindikata më e madhe izraelite është vënë në përpjekje për të ushtruar trysni mbi qeverinë për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, një ditë pasi gjashtë pengje të tjerë u gjetën të vdekur në Gaza. Arnon Bar-David, kryetar i sindikatës Histadrut, tha të dielën se arritja e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gaza “është çështja më e rëndësishme”. “Deri më tani kemi treguar shumë përgjegjësi dhe nuk ka qenë e lehtë”, tha zoti Bar-David. “Por mendoj se ne nuk mund të rrimë duarkryq. Ne nuk mund të injorojmë klithmat e fëmijëve tanë që po vriten në tunelet në Gaza; është e papërfytyrueshme…” Me sa duket, pengjet u qëlluan për vdekje nga militantët në kohën kur trupat izraelite po i afroheshin vendndodhjes së tyre në Gaza.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha herët të hënën se një ekzaminim mjeko-ligjor tregoi se pengjet u vranë nga të shtënat me armë zjarri nga afërsia, 48-72 orë para ekzaminimit. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka kërkuar familje familjeve të pengjeve që u gjetën të vrarë në Gaza. Në një konferencë për shtyp nga Tel Avivi, kryeministri izraelit u zotua që të hakmerret ndaj Hamasit, duke thënë se grupi militant “do të paguajë një çmim të rëndë”. “Ndjej pikëllim të thellë, më vjen vërtet keq për faktin që nuk i kthyem ata. Ne ishim kaq afër.”, tha Netanyahu. Megjithatë, ai mohoi se janë vrarë për shkak të këmbënguljes së Izraelit për të mbajtur kontrollin mbi korridorin strategjik. “Kjo ndodhi sepse Hamasi nuk dëshiron një marrëveshje,” tha ai. I pyetur nga një gazetar në lidhje me hakmarrjen ndaj Hamasit, ai tha: “Ne jemi duke punuar për të. Nuk do t’ju them se cili është çmimi dhe kur do ta bëjmë, do të doja të lë një element surprizë”.
