Ka qenë e njohur që në oborret e fuqishme mbretërore ishte e zakonshme që mbreti të mbante lolon e tij. Ai i shërbente për të vënë në lojë fisnikët, të thoshte fjalë të guximshme që të tjerët nuk guxonin ta bënin. Regjimet e egra diktatoriale të komunizmit, në vendet pa traditë demokratike, vazhdonin të përsërisnin vetveten jo në formën e diktaturave mizore por në formën komike të tyre me diktatorë qesharakë. Ata nuk ishin të etur për gjak por të lebetitur për para dhe pasuri.
Shqipëria është rasti perfekt i diktaturave qesharake, i një qeverie kleptokratike me pasurinë e popullit, që po shkatërron çdo vlerë dhe po e kthen vendin në një shkretëtirë të pabanuar, ku shqiptarët po largohen me dëshpërim në mënyrë të pallogaritshme. Por diktatori i përbuzur nga shqiptarët është lakeu i pëlqyer nga perëndimi! Ai është i kudondodhur në takime ndërkombëtare dhe samite të rëndësishme, me atletet e tij magjike apo brekushet e zeza të gjera, në konferenca për shtyp apo seminare ku ai mban të njëjtin “fjalim magjik” ku ndërthur përrallat nga komunizmi me realitete që ka krijuar ai vetë.
Si gaztor i oborrit të demokracive ai nuk ka frikë të bëjë humor me Putinin, të kritikojë Evropën që asnjëherë nuk pranoi të martohej me dhëndurët simpatikë të Ballkanit, apo të tregojë që është i vetmi që ka mundësi të bëjë miqësi me rivalët tradicionalë në botë. Por Rama nuk zbulon se sekreti i kësaj aftësie vjen se ai ka nxjerrë vendin e tij në shitje për të blerë influencë për pushtetin e tij.
Ai flet e flet dhe audiencat gojëhapur si idiotë e duartrokasin. Ndërsa shqiptarët të tmerruar po përjetojnë lindjen e një diktature të re dhe regjimi putinesk, i cili po i largon nga perspektiva e tyre evropiane, demokratët e lodhur perëndimore dëgjojnë ‘të mahnitur’ diktatorin demagog.
