I arrestuar tre ditë më parë në Memaliaj, fshehur në shtëpinë e kushëririt të Aleksandër Sadikaj, vrarë pranë TEG-ut në 2022, Andrew Bode, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, do të qëndrojë në burg. “Nuk kam lidhje me vrasjen, do të sjell dëshmitarë që ta vërtetoj. Nuk jam dorëzuar deri tani se nuk kam pasur besim te drejtësia, do të bëjë kallëzim dhe për ta.”, u shpreh dje Andrew Bode, i cili fillimisht qëndroi pas murit, duke iu fshehur kamerave. Ai u arrestua gjatë operacionit “Plani” ku morën pjesë edhe forcat RENEA, së bashku me Julian dhe Adriatik Kalemin. Advin alias Andrew Bode, 45 vjeç, me origjinë nga Berati, dyshohet të jetë ekzekutori i Edmond Papës në 16 dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme, del se ngjarja ndodhi për hakmarrje, pas atentatit me tritol në të njëjtin vit në Tiranë, ku mbeti i vrarë Aleksandër Sadikaj, nip i fisit Kalemi në Memaliaj. Dyshohet se Bode ka pasur rolin e ekzekutorit dhe u ndihmua nga Albano Velo, tashmë i arrestuar. Ndërkohë Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Adriatik Kalemin, i cili u arrestua për Armë pa leje, dhe për nipin e Adriatikut, Julian Kalemin i cili akuzohet pasi kishte fshehur vrasësin e Edmond Papës, Andrew Bode. Saga e hakmarrjes mes fisit Kalemi dhe grupit që drejtohej nga biznesmeni Papa, ka nisur për shkak të përplasjeve në lidhje me punët e drogës.
Si u vra Edmond Papa
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë më 16 dhjetor 2022, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të atentatorëve që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes. Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë. Vrasja e Edmond Papës, u zbardh pak javë pasi ishte ekzekutuar. 6 muaj i janë dashur Albano Velos, djalit të efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, që të marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022. 30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet u arrestua në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas organizimit të atentatit dhe ekzekutimit të Edmond Papës në bashkëpunim me Andrew Boden.
E rëndë në Tiranë, babë e bir plagosin me thikë nipin e tyre
Ndërkohë një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Tiranë ku dy persona babë e bir, 42 dhe 21 vjeç kanë plagosur me thikë nipin e tyre. Ata u arrestuan nga policia, ndërsa mësohet se i riu i plagosur ka marrë ndihmën mjekësore në spital dhe është larguar në banesë. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. “L. B., 42 vjeç, dhe M. B., 21 vjeç, (babë e bir), pasi dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë dhe goditur me mjet prerës shtetasin J. J., 26 vjeç (nipi i tyre). 26-vjeçari pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është larguar për në banesë”, njoftoi dje policia.
