SPAK “qep” letrat për aferën e IPARD pas denoncimit prej 800 faqesh nga OLAF, alarm te Frida Krifca dhe…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka qepur letrat për aferën e IPARD pas denoncimit prej 800 faqesh nga OLAF. Dosja është drejt përfundimit të hetimeve dhe shumë shpejt pritet të lëshohen fletë-arrestet. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se është zbardhur e gjithë skema e mashtrimit ku u grabitën plot 33 milion euro nga 112 milion që Bashkimi Europian i dha Shqipërisë si ndihmë për Bujqësinë.

Vjedhja skandaloze detyroi BE që të ndërpriste ndihmën për Bujqësinë shqiptare për të ndalur grabitjen masive që Frida Krifca dhe zinxhiri drejtues i AZHBR bënin me fondet e BE. OLAF ka dhënë një shifër, 33 milion euro por shuma e vjedhur është shumë më e madhe. Ajo është përdorur për të blerë, lobuar, shpërblyer edhe në funksion të lojërave të pushtetit.

Çfarë kanë zbuluar hetimet e SPAK?

SPAK me ndihmën e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) ka arritur në një përfundim duke zbardhur sistemin kapilar të korrupsionit me paratë e fermerëve që çuan në ndërprerjen e fondeve të BE-së për Shqipërinë. Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë përdorimin e teknikave dhe kërkimeve shkencore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, SPAK dhe OLAF kanë evidentuar disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

Por cilat ishin këto parregullsi? Fermerëve u merreshin në formën e rryshfetit pjesë të konsiderueshme të granteve përmes kompanive të konsulencës të përzgjedhura paraprakisht. Ndërkohë që në shumë raste përfituesit e fondeve përzgjidheshin me konkurse të manipuluara. “Aplikantëve u kërkohej të paguanin një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre tek një kompani konsulence lokale. Në raste të tjera kontratat janë dhënë pa konkurrencë ose ose përmes një konkursi të manipuluar me oferta falsë, ndërkohë që në disa projekte u gjetën çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale,” zbuloi raporti i OLAF.

Hetimi i OLAF për Shqipërinë erdhi pas denoncimeve nga disa fermerë aplikues, të cilëve u kërkohej rryshfet për dhënien e granteve. Pasi hetimi i saj i vërtetoi këto denoncime, Zyra Kundër Mashtrimit Ekonomik vuri në lëvizje Bashkimin Europian. “Pas hetimit, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë eurosh, si të papërshtatshme. OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm,” thuhet në raport.

Por hetuesit e BE-së nuk e kanë lënë me kaq. Përveç ndërprerjes së fondeve ata kanë bërë edhe kallëzim penal. “Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë,” përfundon raporti. Por pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit, prokuroria shqiptare ende nuk ka vepruar për këtë çështje.

Hetimet

Hetimi i OLAF për fondet e bujqësisë në Shqipëri nisi në vitin 2021. Në mars të atij viti, hetuesit e OLAF zhvilluan një operacion blic në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së duke sekuestruar kompjutera, dokumente si dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë. Ministria e Bujqësisë nxori një deklaratë të shpejtë në faqen e saj zyrtare duke e cilësuar aksionin si një kontroll rutinë, që bëhen shpesh nga Zyra e Investigimeve në BE. Por një orë më pas deklarata u fshi.

Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, i kërkoi ish ministres Milva Ekonomi që të njoftojë urgjentisht SPAK për këtë investigim të OLAF. Pas përfundimit të hetimeve, OLAF vuri menjëherë në dijeni Komisionin Europian dhe DG AGRI-n për abuzimet e gjetura me shpërndarjen e fondeve të bujqësisë në Shqipëri. Menjëherë sapo u njoh me këto gjetje, Komisioni Europian urdhëroi verën e shkuar pezullimin urgjent të fondeve të IPARD për Shqipërinë, masë që vazhdon të mbetet në fuqi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related