Dhimitraq Xhambazi: Merkato jo aq cilësore në emra, por urojmë për një kampionat më cilësor

Data

Kampionati shqiptar i futbollit, i 86-të, ka zhvilluar dy xhirot e para të tij, ku Egnatia është konfirmuar si skuadër pretendente pasi kampionia në fuqi është e vetmja që ka siguruar dy fitore të plota. Por asgjë nuk mund të thuhet për vazhdimësinë, pasi gara sapo ka filluar dhe duhet ende kohë për të dhënë mendimet e para të vyera në lidhje me potencën e skuadrave në Superiore. I këtij mendimi është dhe një prej ikonave të futbollit korçar e shqiptar, Dhimitraq Xhambazi, i cili, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, kujton se merkato e verës pati vështirësitë e saj, shumë emra që qarkulluan nuk janë emra të mëdhenj, por ai beson se klubet kanë ditur të përshtatin elementët dhe të marrin më të mirën në treg, për të bërë një edicion cilësor.

Ai foli edhe për skuadrën përfaqësuese, duke thënë se në Ligën e Kombeve duhet të tregojë potencë, të shfaqet në nivelin e vet më të mirë, sepse edhe kontigjenti që ka në dispozicion luan në top-ligat europiane dhe janë lojtarë cilësorë që bëjnë diferencë. Për Xhambazin, me rëndësi është të kemi një kampionat vendas më cilësor se sezonin e shkuar.

– Kampionati ka nisur dhe janë zhvilluar dy javët e para të tij. Natyrisht është ende herët për të bërë analiza të sakta për forcën e ekipeve, por nga aq sa është treguar këto dy javë, dhe për merkaton që kanë bërë klubet gjatë verës, deshëm një mendim tuajin mbi pritshmëritë e këtij sezoni. Si i shihni pozitat e skuadrave?

– Fillimi duket i mbarë. Të gjitha ekipet janë plotësuar, të paktën janë përpjekur të jenë sa më të kompletuara për sezonin e ri. Ka një angazhim të shtuar të klubeve për të bërë më të mirën e tyre, angazhim të federatës që çdo gjë të shkojë mirë, punohet pra nga aktorët e futbollit për të pasur një sezon futbollistik cilësor. Natyrisht, një pjesë e klubeve janë përpjekur të bëjnë më të mirën e tyre për të përforcuar grupet, duke sjellë elementë të shumtë. Por në këtë fazë nuk mund të flitet shumë në këtë drejtim, pasi grupet kanë nevojë të kolaudohen. Për të pasur një ide më të qartë për skuadrat që do të pretendojnë trofe do të duhen edhe disa javë, të paktën pasi të jenë luajtur 6 ose 7 javët e para.

Ajo që na duhet është një kampionat cilësor dhe unë dua të besoj se janë bërë aq lëvizje që u japin ekipeve freski dhe rritje cilësie. Kur them që skuadrave u duhet kohë të kolaudohen dhe neve si specialistë na duhet të presim edhe disa javë për të dhënë mendime më të vyera, kam parasysh Skënderbeun, skuadrën e qytetit tim. Në dy javët e para Skënderbeu ka marrë vetëm një pikë, por me lojën që ka bërë, për mënyrën se si u paraqit në fushë, mendoj se meritonte më shumë, shumë më tepër. Prandaj them se do të duhen disa javë për të parë më mirë pozitat e skuadrave. Ka ende kohë dhe vetë ekipet do të kërkojnë kohën e nevojshme për të nxjerrë më të mirën nga vetja. Në këtë moment që flasim, asnjëra skuadër nuk është në formën e vet më të mirë. Kjo ndodh pasi janë bërë lëvizje në treg dhe lojtarëve u duhet kohë të përshtaten.

– A mendoni se merkato e kësaj vere i ka përmbushur pritshmëritë e saj? Flasim gjithmonë në kuadër të klubeve të Kategorisë Superiore…

– Janë bërë lëvizje të shumta, shumica e klubeve kanë bërë lëvizje, por këto lëvizje, nëse kanë qenë të efektshme do të kërkojnë kohë të tregohen në fushë. Në Korçë grupi ka qenë më i konsoliduar, pasi është grupi i vjetshëm me tetë ose nëntë lojtarë. Klubet që ruajnë grupin e kanë më të lehtë të kolaudohen, pasi kanë kohë që punojnë së bashku. Në këtë drejtim ato kanë avantazhe të dukshme. Sa më takon mua, në lidhje me merkaton, mund të them se kampionati ynë ka nevojë për blerje më cilësore. Merkato në kampionatin shqiptar është e vështirë. Këtu lojtarët shumë cilësorë nuk vijnë se, të jemi realist, duhet të kuptojmë pozicionin e kampionatit tonë.

Pra emrat që kanë qarkulluar janë në tërësi të zakonshmit, nuk ka ndonjë prurje që të mbetet në mend, ndonjë lojtar si i ndjeri Duamena i Egnatias sezonin e kaluar, që bënte diferencë. Lojtarë të këtij kalibri nuk kanë lëvizur në këtë merkato dhe e parë nga emrat nuk është ndonjë merkato aq cilësore, por për aq sa klubet kanë pasur mundësi financiare, shpresojmë të kenë bërë goditjet e duhura dhe të kemi një kampionat më cilësor se edicionin e kaluar. Ajo që dua të them është se është ende herët për ta bërë analizën si duhet, por shpresojmë të bëhet më e mira që të kemi futboll cilësor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related