Artistë dhe studiues ishin mes pjesëmarrësve në konferencën “Diplo 2024”, por së shpejti do të prezantohet dhe nisma “Ditët Kulturore Shqiptare 2025. Kjo u bë me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, që një ditë më parë u shpreh në rrjete sociale për rëndësinë e “Diplo 2024”. Ministri i MEKI-t Blendi Gonxhja thotë se në “Diplo 2024” u ndanë përvoja të suksesshme.
“Zv. ministrja e MEKI, znj. Lira Pipa në panelin e Diplomacisë Kulturore si pjesë Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2024”, së bashku me tre ambasadorë të shquar të artit dhe kulturës shqiptare në botë: znj. Lea Ypi, akademike dhe autore shqiptare, z. Ramë Lahaj, tenor i mirënjohur operistik dhe profesor Matteo Mandala, studiues i letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare, nën moderimin e gazetarit Blendi Salaj. “Diplo 2024” shërbeu si një platformë, për ambasadorët, artistët dhe përfaqësues të diasporës për të diskutuar dhe ndarë përvoja të suksesshme me vendin e origjinës dhe nxitjen e dialogut për sfidat dhe mundësitë në diplomacinë kulturore”, shprehet ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në rrjete sociale
Ministri Blendi Gonxhja shton më tej se nisma “Ditët Kulturore Shqiptare 2025” është një hap ambicioz. “Së shpejti do të prezantojmë nismën “Ditët Kulturore Shqiptare 2025”, e cila është një hap ambicioz për të forcuar lidhjet me diasporën dhe për të promovuar trashëgiminë tonë”, shprehet ministri Blendi Gonxhja. Konferenca e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” u organizua në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore ishin të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.
