Gazetari i njohur dhe drejtuesi i emisionit “Ju Flet Moska”, Kastriot Myftaraj ka ndërruar jetë në moshën 60 vjeçare në 7 korrik të vitit 2022. Në njoftimin e dhënë për mediat ditën e ngjarjes, policia bënte të ditur se Myftaraj është hedhur nga kati i katërt i banesës ku jetonte në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Por miq dhe të afërm të të ndjerit, ngrenë hije dyshime mbi vetëvrasjen e analistit dy vite pas vdekjes së tij.
Njëri prej tyre është avokati i njohur, Kastriot Frashëri, i cili si mik i Kastriot Myftarajt tregon versionin e tij mbi këtë ngjarje të rëndë. Gjatë një interviste për gazetën zoti Frashëri ngre habinë se si u mbyll me shpejtësi dosja e vdekjes së gazetarit Myftaraj, duke lënë dëshmitarë dhe prova të rëndësishme jashtë hetimit.

-Zoti Frashëri, u bën dy vjet që gazetari i njohur dhe miku juaj Kastriot Myftaraj është ndarë nga jeta. Si e përshkruani rolin dhe ndikimin e Kastriotit në shoqërinë dhe jetën publike? Çfarë e bëri atë të veçantë në sytë tuaj dhe të të tjerëve?
Është e vërtetë që Kastriot Myftaraj kishte një rol të veçantë në debatin publik shqiptar. Ai ishte prezent në shoqërinë shqiptare përmes shkrimeve të ndryshme, analizave, të cilat kapnin një sferë të gjerë që nga çështje të aktualitetit, problematika në lidhje me korrupsionin e deri në analiza të thella gjeopolitike të cilat janë të denja për institucione kërkimore e qendra të kërkimit shkencor ose me çështje të politikës ose të gjeopolitikës në përgjithësi.
Kastrioti u nda nga jeta në mënyrë më tragjike të mundshme dhe fare të papritur ku askush nuk e mendonte pasi siç dhe sot është bërë e njohur, ai u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme e si duket ajo e nxiti, pasi është çështje e brendshme e sëmundjes, e cila jep një gjendje suçide, siç kam folur dhe me mjek të ndryshëm në lidhje me këtë ngjarje. Tashmë kanë kaluar dy vite nga kjo ngjarje dhe Kastrioti i mungon jetës shqiptare, për shkak dhe të problematikës e problemeve të shumta që ka sot në lidhje me keqqeverisjen, çështjet e korrupsionit e shumë çështje të tjera ku në analizat e tija kanë dalë siç i ka pas parashikuar Kastrioti.
Nëse Kastrioti do të ishte sot gjallë, shumë nga këto gjëra nga këto ngjarje sot e çështje që përplasen në dyert e drejtësisë, në SPAK në lidhje me aferat e ndryshme të ministrave e zyrtarëve të kabinetit qeveritar apo të institucioneve të pushteteve të tjera, do të ishin në qendër të vëmendjes. Kjo e bën Kastriotin të veçantë por ndonjëherë e tepronte dhe në analizat e tija të cilat unë dhe i flisja pasi mendoj se nuk duhet të ishte me një gjuhë aq të ashpër sa Kastrioti ishte i tillë ku nuk e pranonte t’i flisje. Unë si mik i tij kisha ndikim te ai dhe shumë njerëz më thonin që t’i flisja pas teprisë që ai bënte në analiza.
