Kreu i PD-së, Sali Berisha ka pritur këtë të premte në selinë blu 12 anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, ku bën me dije se kanë shkëmbyer gjerësisht mendime mbi situatën në vend dhe rolin jetik të diasporës shqiptare për mbarë hapësirën kombëtare shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shprehet se i ka informuar ata mbi angazhimin e PD-së për votën e diasporës, si dhe mbi represionin dhe gjyqet politike ndaj përfaqësuesve të opozitës
Lideri demokrat thotë se i ka garantuar anëtarët e Këshillit se PD do të angazhohet plotësisht në krijimin e kushteve që diaspora shqiptare të ketë mundësi të investojë kapitalin e saj ekonomik, teknik dhe njerëzor në vendlindje, duke krijuar regjimin e taksave më konkurrues në rajonin e Ballkanit.
Po ashtu, Berisha thotë se PD do të sigurohet që në administratën tonë të ketë pozicione të garantuara për çdo shqiptar që kërkon të kontribuojë në administratën e vendit, por sipas tij, fillimisht duhet që të garantohet maksimalisht vota e diasporës nga një Qeveri teknike.
Në takim kanl marrë pjesë edhe drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, si dhe disa deputetë dhe zyrtarë të tjerë të PD-së si Flamur Noka, Ina Zhupa, Akil Kraja, Enri Çeno dhe Ilda Zhulali.
