Dialogu për çështje trafiku dhe vazhdimësia e “revolucionit të drunjve”! Sylë Ukshini: Përjashto Asociacionin, ende asnjë normalizim marrëdhëniesh, as marrëveshje finale

Data

SYLË UKSHINI
PJESA E DYTE

Që nga paslufta Veriu i vendit u bë oaz krimi, ku shqiptarët dhe serbët janë bashkëpjesëmarrës të zellshëm. Në anën tjetër, kalimi mbi Urën e lumit Ibër të Mitrovicës, më e nxehtë e Kosovës, ajo herë bllokohej me gjëra të rënda herë bëhej e pakalueshme nga mbyllja që bëhej prej KFOR-it. Është e qartë se shpresa e vetme ishte dialogu i Brukselit, që filloi në vitin 2011 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, tani që jemi në vitin 2024, as nuk kemi normalizim marrëdhëniesh, as marrëveshje finale dhe as hapje të plotë të urës mbi Ibër.

Përjashto Asociacionin, ku ka një përkushtim dhe vendosmëri ndërkombëtare, Procesi i Brukselit ka degraduar në telenovelë trafiku. Nëntë vite më, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e revitalizimit të urës, e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, dhe më pas pritej që ura e Mitrovicës do të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Dhe tani kur qeveria e Kosovës doli me nismën për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, pos shtetit fqinj të Vuçiçit, dolën kundër edhe ndërkombëtarët. Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se ura e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike” dhe “nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme.”

Mund të mos na pëlqejë, por ky qëndrim i ndërkombëtarëve është imponim i një zgjidhje kundër vullnetit të shumicës, kur pakica serbe është kundër, atëherë nuk është i rëndësishëm vullneti i shumicës, edhe atëherë kur kemi të bëjmë me rregullat e trafikut dhe jo vetëm me ndryshimet kushtetuese. Ndoshta mënyra se si mund të kuptohet Kosova sot është nëpërmjet qëndrimit të ndërkombëtarëve për urën e Mitrovicës. Nëse parafrazojmë mendimin e Talbot-it se “por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje”, atëherë duhet kuptuar që tani se pikërisht aty nesër mund të jetë kufiri i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky opsion do të shënonte momentin lapidar të ndarjes së brendshme të Kosove

Vazhdimi i telenovelës të urës së Mitrovicës, që ndan pjesën veriore të qytetit e cila është e banuar me shumicë serbe pas spastrimit etnik të shqiptarëve dhe pjesën jugore që është me shumicë shqiptare, ndoshta është simbolika më e keqe e dështimit të etablimit të Perëndimit në Kosovë dhe rajon. Nëse vazhdohet me këtë qasje ndërkombëtare, kur vendimi qeverisë së Kosovës konsiderohet i njëanshëm edhe përballë strukturave ilegale të Serbisë, vazhdon të funksionojë në praktikë strategjia e komunikimit të drejtpërdrejt të Serbëve të Kosovës me Beogradin, që nënkupton dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Beogradit. Si mund ndodhë integrimi i serbëve në sistemin e Kosovës, përderisa vendimet e Kosovës: për targat e automjeteve, për zhbërjen e strukturave ilegale serbe, për ndalimin e dinarit serb, për mosnjohjen e pasaportave ilegale dhe për ndalimin e funksionimit të paligjshëm të Postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, konsiderohen të njëanshme? Nëse është kështu, atëherë i bie që operimi dhe vendimet e qeverisë së Serbisë, që kanë të bëjnë me Kosovën, nuk janë të njëanshme! Në këtë kontekst, çfarë kuptimi ka referenca nga Marrëveshja Themelore në 27 shkurt 2023 dhe Aneksi i Zbatimit të 18 marsi 2023, që parashikon se: “Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”. Të gjitha veprimet e paligjshme të deritanishme të Serbisë, jo vetëm që paraqesin shkelje serioze të parimeve të fqinjësisë së mirë, por ato krejt hapur synojnë ta minojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ndërsa, thirrja e serbëve lokal për ta penguar hapjen e urës përbën cenim të rendit kushtetues, që nënkupton nevojën e veprimit të shtetit dhe institucioneve të rendit. Nëse i referohemi nenit 155 të kushtetutës së Spanjës, të një vendi anëtar të BE-së, në rast se një komunitet i Spanjës nuk e respekton kushtetutën, atëherë qeveria është e detyruar që ta obligojë atë me forcë e ligjit që ta bëjë atë. Për çfarë vetëm në rastin e Kosovës çdo herë duhet pasur përjashtime.

Kundërshtimi, sidomos ai evropian, i hapjes së urës, insistimi për ruajtjen e strukturave ilegale të shtetit serb brenda territorit të Kosovës, kërkesa për rikthimin e valutës së shtetit serbe dhe së fundi edhe njohja e njëanshme nga BE-ja e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon se BE-ja po ndjek një “zgjidhje”, edhe pse ajo kundërshtohet nga pozita dhe opozita dhe shumica e qytetarëve të Kosovë, që e shpien dialogun në një ngërç dhe njëkohësisht e forcon pozicionin kundërshtues të përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë kundër integrimit në sistemin shtetëror kosovar. Për më tepër, sipas logjikës së Stanos, i cili natyrisht me këtë rast nuk përfaqëson qëndrimin personal, por të BE-së, në çdo shtet të rajonit mund gjendej një komunitet etnik që do kërkonte të mbante një rrugë apo urë të mbyllur si shenjë e sfidimit të pushtetit qendror. Por, ai dhe ndonjë zyrtar evropian është mirë ta kuptojnë se bllokimi i rrugëve është “armë” e njohur e Beogradit, kur në gushtit të vitit 1990 serbët e Kroacisë patën bllokuar rrugët përreth qytetit kroat Kninit, duke vendosur mjete të rënda transportuese, por edhe zhavorr e drunj, në atë që quhej si “revolucioni i drunjve.”

Dhe nëse edhe pas tridhjetë e katër viteve vazhdojmë të normalizojmë logjikën e “revolucionit të drunjve”, atëherë i tërë procesi i Brukselit fillon t’i ngjajë stilit të bisedimeve për çështjen e arsimit në Gjenevë në kuadrin e konferencës për ish-Jugosllavinë në fillim të viteve 1990-ta, i cili sipas ambasadorit Gerht Ahrens, drejtues i këtij procesi, shqiptarëve ua krijonim përshtypjen se problemi i Kosovës ishte ndërkombëtarizuar, ndërsa serbëve se tema e arsimit është një çështje e brendshme e Serbisë, ndërkohë që qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e terrenit për hapjen e negociatave politike për statusin e Kosovës. Nëse është kështu, atëherë na del se krejt marrëveshjet e Brukselit janë një instrument për paketimin diplomatik të status quo-së dhe të negociatave të pa fund, përkatësisht derisa të krijohet një momentum i ri për realizimin e një ndarje të brendshme të Kosovës në vija etnike, në Kosovën serbe dhe Kosovën multientike, por askund shqiptare.

Rasti i ndarjes së brendshme territoriale të Bosnjës –Hercegovinës me shumicë myslimane tregon se ato e dobësojnë dhe e pengojnë funksionimin e shteteve. Megjithëse Serbia, që i nisi tri lufta dhe i humbi ato, që nga qershori i vitit 1999 bashkë me miqtë e saj nisi një fushatë për ta kthyer përmbysë të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë, ajo ka punuar pareshtur për të mohuar krimet e kryera në Kosovë dhe gjetiu, duke ekzagjeruar dhe vetviktimizuar serbët e Kosovës, Bosnjës dhe të Kroacisë. Kësisoj, ajo krijoi qëllimisht kundër-narrativë, sipas së cilës kishte viktima, përfshirë edhe kriminelë, nga të gjitha anët. Kështu Serbia, megjithëse krimet e saj u kualifikuan si më të rënda që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në fund ajo përfitoi nga krimet e luftës, sepse ruajti territorin e RS dhe ende kontrollon Veriun e Kosovës, duke thurur plane për t’ia aneksuar fillimisht atë pjesë Serbisë. Kjo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, është doktrinë që pret orën e saj. Gjithashtu, siç pohonte shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, “bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë me 1999, por jo edhe doktrinën e saj”.

Dhe pikërisht mbi këto premisa duhet kërkuar interpretimin e politikës hegjemoniste serbe ndaj Kosovës, e cila pikënisjen e saj në fundin e shekullit 19 dhe fillimin e shekullit 20, përkatësisht problemi me konsullin rus, i cili kishte zbarkuar në një qytet kosovar një agjendë serbe dhe që po krijonte rrëmujë dhe shqetësime si për popullatën vendore shqiptare, ashtu edhe për autoritetet e shtetit osman. Ishte pikërisht koha kur shteti serb po bënte gjithçka për të penguar konsolidimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe ndërtimin e një aleance me shtetin perandorak të Austro-Hungarisë, një fuqi evropiane që po mbështeste krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan që e shihte si digë kundër depërtimit të influencës sllave. Ngjashëm si atëherë, Serbia që nga paslufta është orvatur që përmes dimensionit rus të shkaktojë trazira në brendësi në territorin e Kosovës. Kështu, Serbia dhe Rusia po udhëheqin me sukses projektin e pengimit të etablimit të Perëndimit në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë. Por, ndoshta tani, kur Perëndimi është i përqendruar në luftën e Ukrainës, në luftën e Gazës dhe në krizat e reja që duken në horizont, rreziku i projektit serb, të cilin asokohe e parandaluan amerikanët, duket po aq i madh sa në qershor të vitit 1999. Dhe, nëse ajo çfarë është fituar në fushëbetejën diplomatike amerikane-ruse në bisedimet e Moskës dhe Helsinkit në qershor të 1999, të rrezikohet përmes procesit infinitiv të Brukselit, atëherë ky do të ishte një dështim i madh i NATO-s dhe i Perëndimit për etablimin e suksesshëm në Kosovë dhe në rajon.

PRAGMATIZMI, SI EXIT STRATEGJI

Nëse edhe pas njëzet e pesë viteve ura mbi Ibër vazhdon të mbahet e mbyllur, duke përdorur gjithmonë justifikime politike dhe duke përdorur strategjinë e blerjes së kohës, ndërkohë që pala tjetër ka krijuar fakte në terren. Kjo ka krijuar pritje të mëdha te popullata serbe se gjithçka i takon përkohshmërisë, një narracion i ndërtuar, gjithashtu, nga kreu shtetëror i Beogradit. Në anën tjetër, lidershipi i Kosovës ka besuar në mënyrë naive se faktori ndërkombëtar, pa asnjë trysni vendore të shumicës shqiptare, do ta adresojë këtë çështje që ka marrë përmasat e një telenovele pambarim. Por, tani kur BE nxiton ta kërcënojë Kosovën me masa shtesë ndëshkuese, në mesin e popullatës shumicë shqiptare është krijuar një lloj droje se mos fjala është për ndonjë skenar të panjohur për ne. Ky është një mister i madh për mua.

BE-së nuk i mungon kreativiteti, por të thuash se hapja e urës “nxit rebelimin e komunitetit serb”, në fakt, është një ftesë për pa dëgjueshmëri të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës dhe në të njëjtën kohë përbënë një amnisti për qeverinë neo-milosheviçiane në Beograd, e cila ndjek një strategji të njëjtë me atë të Milosheviçit të viteve 1980-të, sipas së cilës, serbët e Kosovës nxiteshin për padëgjueshmëri ndaj qeverisë së Kosovës dhe për komunikim të drejtpërdrejt vetëm me Beogradin.

Prandaj, në këtë situatë delikate qeveria e Kosovës për shumë arsye duhet të lëvizë me shpejtësi për të evituar një përplasje serioze me Perëndimin, para së gjithash me SHBAtë, ngase po krijohet perceptimi i gabuar se pala problematike nuk qenka Beogradi, por Prishtina. Dhe, nëse duam të shmangim këtë kurth, mendoj se ka nevojë për më shumë unitet politik dhe për më shumë pragmatizëm të qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të lëvizet më shpejt nga pozicioni i tanishëm. Pra, pavarësisht se BE-ja ka dështuar ta përmbushë këtë marrëveshje që nga qershori i vitit 2016, qeveria e Kosovës ka një varg arsyesh që të tregohet më e kujdesshme për shmangien e një diskursi konfrontues me partnerët ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të, të cilat janë garantues të vetëm të stabilitetit në Kosovë dhe regjion.

Është e vërtetë që aleatët e mëdhenj të Kosovës – SHBA dhe BE – janë seriozisht të pakënaqur që nuk po gjejnë tek udhëheqja aktuale e Kosovës atë bindshmëri që e kanë gjetur në qeveritë e mëparshme. Por, duhet pranuar se kjo është pjesë e traditës diplomatike mes fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla dhe ka peshën e vet në funksionimin e sistemit ndërkombëtar. Të mësuar me këtë mendësi, aleatët perëndimorë nuk është çudi se shohin si provokim vendimin e qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilën me 2015 nga BE-ja na qe premtuar se do të hapej brenda vitit 2016.

Shumë qendra ndërkombëtare të vendosjes perëndimore, të kënaqura me përmbysjen e Milosheviçit, besojnë se Serbisë duhet t’i njihet një peshë e veçantë në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh intencën për shkëputjen e saj nga influenca e Rusisë si dhe për shkak të luftës në Ukrainë. Por, është tepër naive të besohet që një vend si Serbia, që luhate mes Lindjes dhe Perëndimi, mund të shërbejë si faktor stabiliteti në rajon.

Nuk mund të besohet se pikërisht një vend si Serbia, e cila historikisht që nga krijimi si shtet ka operuar midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të shkëputet plotësisht nga lidhja e saj me Rusinë dhe bashkë me të edhe nga koncepti hegjemonist, nëse BE-ja vazhdon të shpërfaq një qasje asimetrike në dialogun e Brukselit. Për më tepër, është jo serioze kur BE-ja e politizon dhe shkakton përhap panik sikur ura mbi Ibër të ishte ekuivalenti i Murit të Berlinit, që nëse hapet ekziston rreziku u një konfrontime me përmasa të paparashikueshme.

Meqë synimi i qeverisë së Kosovës për hapjen e urës nga vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, është cilësuar si të njëanshëm, vendi ka nevojë për një qasje më pragmatike, që do të nënkuptonte mirë është një tërheqje me marrëveshje të afatizuar sesa një fortifikimit në pozicionit aktual, si në rastin e targave, respektivisht një tërheqje të vonuar dhe pa asnjë benefit. Qeveria e Kosovës do të duhej që para vendeve të QUNIT-it dhe NATO-s të prezantonte një koncept realist dhe një shtyrje të limituar kohor, të paktën deri pas zgjedhjeve nacionale në vend, për implementimin e pakushtëzuar të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër, sepse kjo urë nuk është as nuk mund të bëhet më e fortë se Muri i Berlini. Njëkohësisht, një lëvizje pragmatike e qeverisë së Kosovës do të ishte një exitstrategji për evitimin e kurthit të Beogradit për vetëviktimizimin e komunitetit serb në vend, dhe gjithashtu evitimin e perceptimit të gabuar, se nuk është Serbia, por Kosova fajtori i mungesës së procesin e Brukselit.

Por, një lëvizje e qeverisë së Kosovës duhet të ishte në mënyrë kategorike e limituar në kohë: të paktën të shtyhej deri në pranverë e vitit që vjen, domethënë derisa në SHBA të jetë përmbyllur procesi zgjedhor për lidershipin e ri. Sepse sa për evropianët, bazuar nga eksperienca e viteve 1990-të, mund të themi BE-ja nuk ka vullnet ose nuk dëshiron apo edhe nuk mundet që ta “nxjerrë macen nga përsheshi”.

Kjo qasje bëhet edhe e nevojshme edhe për shkak të rrethanave në vend, në rend të parë, për të shmangur çfarëdo alibie për mospjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbahen brenda pak muajve. Në këtë mënyrë, Prishtina do ta dekonstruktonte strategjinë e Beogradit që pas krijimit të vakumit institucional në veri, të shtynte përfaqësuesit e partive politike serbe t’i bojkotonin zgjedhjet nacionale dhe kjo automatikisht do i linte serbët të pa përfaqësuar edhe në nivelin qendror. Dhe në një rast të tillë, saga e vetviktimizuese do të bëhej më agresive dhe njëkohësisht Kosova do të shikoj si palë problematike dhe automatikisht do të fuqizonte pozicionin serb në dialogun e Brukselit. Kësisoj do të shtohej vendosmëria ndërkombëtare për formimin e Anotacionit e Komunave me Shumicë Serbe, një institucion etnik, i cili do të hapte shtegun për ndarjen e brendshmet ë Kosovës në vija etnike sipas modelit boshnjak. Dhe pas kësaj, Beogradi do të kishte në dorë një levë tepër të fuqishme për kontestimin e shtetit të Kosovës, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda.

Në të njëjtën kohë, Perëndimi, SHBA dhe BE, nëse sinqerisht janë kundër bonjëzimit të Kosovës, atëherë në komunikim me palën problematike, domethënë me Serbinë, duke ia bërë të qartë se ndarje të brendshme të Kosovës nuk mund të ketë. Ndryshe, një qëndrim i luhatur, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve që nga paslufta, do të ishte një inkurajim për strukturat kriminale dhe rrjedhimit kjo situatë do të ndikonte në rritjen e tensioneve në veri të Kosovës,. Dhe çdo përshkallëzim eventual do të ishte një dhuratë e madhe për Rusinë, e cila si askund tjetër në rajon, në Kosovë e minon me vendosmëri projektin e etablimit të Perëndimit dhe njëkohësisht përmes vetos së saj e mban të mbyllur derën e Këshillit të Sigurimit si instrument bllokues për integrimin e plotë të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, kundërshtimi, sidomos i evropianëve, për hapjen e urës, pavarësisht motiveve të zyrtarëve të Brukselit, nga sfiduesit e rendit kushtetues të Kosovës, në rend të parë nga lidershipi i shtetit fqinj po shfrytëzohet me agresivitet propagandistik për koncesione të reja dhe realizimin me sukses të strategjisë së mos dëgjueshmërisë së serbëve lokal ndaj institucioneve të Kosovës. inkurajimin e ruajtjen e mëtutjeshme të strukturave ilegale serbe brenda territorit të shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Beogradi po gëzon benefitet të dyfishta: një njërën anë, me paratë e BE-së po financon strukturat paralele në Kosovës dhe në anën tjetër, po kërkon dhe merr koncesione përmes Procesit të Brukselit, si Asociacioni apo akomodime të reja për Kishën Ortodokse Serbe të Kosovës. Kërkesa më anakronike e Brukselit kundër aplikimit të euros në transaksionet bankare, pasi kjo formë !shkakton krizë humanitare”, dhe mirëkuptimi ndaj kërkesës së Vuçiçit për rikthimin e valutës së shtetit serbe brenda Kosovës dhe së fundi edhe njohja e njëanshme e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon BE-ja se po ndjek një “zgjidhje”, e cila çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e ka zhvendosur në periferi dhe as që duket në horizont. Me kërkesa të tilla të njëanshme ndaj Kosovës, BE-ja njëkohësisht ka forcuar pozicionin e përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë për kundërshtimin e integrimit të serbëve lokal në sistemin shtetëror kosovar.

Me këtë qasje, gjithashtu, BE-ja po krijon përshtypjen sikur është kundër implementimit të marrëveshjet e paimplementuara të Brukselit, siç ajo për urën e Mitrovicës e arritur në vitin 2015. Në këtë mënyrë, procesi i dialogut hap pas hapi po merr një formë të re, përtej asaj që e ishte specifikuar me rezolutën e OKB-së në shtator të vitit 2010, dhe, tani në vend të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gjithnjë e më shumë ka një tendencë të sforcuar që përmes strategjisë së lodhjes të mbahet gjallë ideja se shtetësia e Kosova nuk është e përmbyllur dhe rrjedhimisht edhe statusi i saj është i diskutueshëm., e që në fakt dhe për ironi përputhet me parimin serb të përkohshmërisë së çdo gjëje në Kosovë. Kjo përshtypje po ndërtohet mbi premisën se vetë BE-ja marrëveshjet e arritura në Bruksel, Aneksin e Ohrit apo Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirisë dhe për targat e të tjera po i përdor më shumë si strategji për blerjen e kohës sesa si intencë që në një kohë reale të përmbyllë dialogun për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të vogla dhe fqinje të Ballkanit Perëndimor përmes një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht të detyrueshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related