Me shpresën se do të gjejnë prova të reja që faktojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 4 gushtit, opozita ia doli të bindë KAS për hapjen e kutive të votimit të Himarës. Opozita kërkon të vërtetojë nga materialet zgjedhore që 560 qytetarë shkuan në 36 Qendrat e Votimit, por nuk votuan, për shkak se kishin një ID të skaduar, ndërsa 260 të tjerë nuk u identifikuan nga pajisja, pasi karta e tyre ishte rinovuar së fundmi. “560 zgjedhës që nuk janë lejuar të votojnë për shkak se kishin ID të skaduara, nga mbi 6000 që nuk kishin të drejtën e votës. Shifra mund të ishte edhe më e madhe e qytetarëve që mund të kishin votuar nëse do kishte një udhëzim që t’i lejonte.
260 zgjedhës të tjerë kanë patur karta të rinovuara ditët e fundit, për këto kërkojmë marrjen e provës nga kutitë e materialeve zgjedhore”, deklaroi Franc Nuri. Nga ana e tyre, anëtarët e KAS kërkuan që opozita të specifikojë llojin e materialeve që kërkon të verifikojë dhe të jetë prezente në momentin e hapjes së kutive të materileve zgjedhore. Kreu i KAS, Koli Bele u shpreh se procesi do të administrohet nga KQZ. “Duke qenë se 2 anëtarë të KAS shfrytëzuan të drejtën që buron nga neni 21 fraksion 2 si dhe praktika e konsoliduar në rastet e mëparshme, vendoset pa debat të hapen kutitë e materialeve sipas kërkesës së ankuesit.
Ky proces do të administrohet nga administrata e KQZ-së. Procesi do te kryhet ne prezencë të palës. Gjatë procesit do të administrohen kopjet dhe ky proces do të kryhet në mënyrë të pandërprerë dhe në prezencë të kamerave të KQZ-së”, tha ai. Ndërkohë seanca e radhës pritet të mbahet ditën e hënë, në orën 11:00.
Debatet
Bashkë me këto pretendime përfaqësuesit e opozitës pretenduan se disa qytetarë kanë votuar, edhe pse me një ID të skaduar. Por për këtë, nuk dhanë prova. “Kemi disa informacione që mund të kenë votuar dhe me kartë të skaduar dhe dje pamë dhe raste kur ka pasur ID të vlefshme dhe nuk ka votuar”, tha Nuri.
“Ky informacion a është i kuantifikuar, pra a dihet sa persona me ID të skaduar kanë votuar?”, e pyeti Rusmajli.
“Nuk e kam infon e plotë. Por nëse provohet, gjykoj që jemi përballë një shkelje të rëndë”, tha Nuri.
“Nëse mungojnë provat, nuk ka asnjë vlerë dhe janë diskutime akademike”, u shpreh Rusmajli.
Detajet
Këto shifra të marra së bashku, për opozitën janë arsye e mjaftueshme për të përsëritur zgjedhjet në Himarë, pasi përafrohen me diferencën e votave mes Tavos fitues dhe humbësit të zgjedhjeve Petro Gjikurisë. Pasi opozita të shqyrtojë të dhënat e dala nga kutitë e votimit, KAS paralajmëroi se nuk do të ketë një shans të dytë për të, dhe se të hënën do të shpallë vendimin final nëse do të lërë në fuqi fitoren me 1477 vota të Vangjel Tavos apo nëse do të çojë drejt përsëritjes së zgjedhjeve në Himarë, sikurse përfaqësuesit e kandidatit humbës Petro Gjikurisë kërkojnë.
Çfarë kërkoi opozita nga administrata e KQZ?
1/ Raportin e Audituesit Teknicien lidhur me problematikën e listave të zgjedhësve në Himarë.
2/ Raportin e shkruar ose e-mail të kompanisë Smarmatic që menaxhon sistemin e pajisjeve PEI, pas perfundimit te zgjedhjeve ne Himare lidhur me ecurine e procesit te identifikimit te zgjedhesve ne 36 QV e Bashkise Himare;
3/ Kopje e te gjitha Regjistrave te Posaçem të 36-QV ne Himare, ku jane evidentuar te pakten 560 zgjedhes qe nuk jane lejuar te votojne pasi karta ID e tyre rezultonte me date te skaduar.
4/ Kopje e të gjitha proces-verbaleve apo dokumentave te tjere te votimit të 36-QV ne Himare, ku mund te jete shenuar manualisht identifikimi i mbi 260 votuesve te cileve, pajisja PEI nuk i njihte, edhe pse kartat e tyre ID ishin rinovuar pak dite perpara dates 4 Gusht 2024;
5/ Dokumentacionin qe disponon administrata e KQZ qe tregon shtimin me mbi 360 zgjedhes te rinj në Himarë qe nga zgjedhjet e 14-majit 2024;
6/ Listen e personave te caktuar si komisionere nga Partia Socialiste ne 36-QV ne Himare, dhe funksionin ne Administratën Publike (Qendrore apo Vendore) te atyre individëve qe ishin pjese e saj deri ne 4 Gusht 2024;
7/ Dokumentacionin qe verteton se keta persona ishin pajisur me autorizim/leje paraprake nga DAP per t’u angazhuar ne procesin zgjedhor.
