Shërbimi inteligjent amerikan ka një sërë dokumentesh për Shqipërinë. CIA ka deklasifikuar disa dokumente të vitit 1994 dhe në to tregohet aktiviteti i qeverisë demokratike dhe i Sali Berishës. Interesant është fakti se CIA përmend arrestimin e Fatos Nanos, ku thuhet se ai u fut në qeli në kuadër të një lufte që nisi ndaj korrupsionit. Po ashtu përmenden dhe akuzat ndaj Ramiz Alisë. Një vëmendje i kushtohet kapaciteteve ushtarake të vendit, ku theksohet se qeveria e atëhershme kërkoi ndihmë nga vendet arabe dhe Turqia. Po ashtu thuhet se pati lëvizje për të blerë armatime në SHBA, ku përmenden dhe disa helikopterë F-16.
7 korrik 1994
Shqipëria po përballet me një periudhë të vështirë tranzicioni drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut, pas afro pesë dekadash regjimi stalinist, që prej Luftës së Dytë Botërore. Ish-presidenti Alia, i zgjedhur nga vetë diktatori Enver Hoxha, me hezitim ka nisur disa reforma të kufizuara politike dhe ekonomike prej vitit 1990. Partia Demokratike me liderin karizmatik Sali Berisha, fitoi zgjedhjet parlamentare në 1992, duke zgjedhur presidentin e parë demokratik në më shumë se 50 vjet. Kabineti i kryeministrit Meksi dominohet nga demokratët. Shumica e anëtarëve janë relativisht të rinj. Ata nuk kanë eksperiencë politike, por janë zgjedhur pasi nuk kanë lidhje me regjimin e vjetër komunist.
Reformat
Qeveria po përqendrohet në reformat ekonomike dhe privatizimin e bizneseve. Po kryhet gjithashtu depolitizimi i sistemit të vjetruar dhe të paaftë gjyqësor. Raportohet të jenë kompletuar 90 për qind e privatizimeve të tokës agrare dhe është bërë progres në privatizimin e shtëpive dhe bizneseve të vogla. Vjeshtën e kaluar, Parlamenti kaloi ligjin e zbutjes së kufizimeve për bizneset e huaja dhe lejimin e riatdhesimit të fitimeve. Fushata qeveritare anti-korrupsion ka çuar në arrestimin e disa liderëve ish-komunistë, ish-zyrtarëve bankarë dhe menaxherë biznesi, me akuza përvetësimi parash. Ish-kryeministri komunist dhe kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, u dënua me burg për korrupsion në mars, kurse ish-diktatori komunist Alia u dënua për abuzim me pushtetin në qershor. Përpjekjet e demokratëve për spastrimin e korrupsionit nga rangjet e tyre dhe për eliminimin e konfliktit të interesit, bënë që vjeshtën e kaluar të jepte dorëheqjen ministri i Financave, pas akuzave indirekte për përvetësime fondesh.
Ekonomia ende e dobët
Programi i reformave të qeverisë po nis të japë rezultate. GDP u rrit me 10 për qind gjatë vitit 1993, pas rënies me rreth 35 për qind një vit më parë, ndërsa inflacioni u ul me nga rreth 230 për qind në 1992, në 31 për qind vitin e kaluar. Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë shtetit, të cilët përbëjnë rreth 15 për qind të forcës punëtore, po rezultojnë një rrjet sigurie në këtë kohë tranzicioni. Vitin e kaluar, qeveria demokratike reduktoi shumë pagesat e ndihmës sociale si dhe administratën publike, për të parandaluar hiperinflacionin. Zyrtarët lokalë kanë shitur apo dhënë me qera ish-dyqanet shtetërore te ish-të punësuarit dhe rreth 90 për qind e tokës bujqësore u është dhënë zotëruesve privatë. Por gjithsesi ekonomia mbetet e dobët ndaj forcave të jashtme. Situata për shumë shqiptarë mbetet e rëndë dhe standardet e jetesës nuk pritet t’i afrohen atyre evropiane për disa dekada. Shqipëria është e varur nga ndihma dhe investimet e huaja, si dhe nga remitancat e refugjatëve jashtë vendit. Industria vendore është zeruar dhe furnizimi i brendshëm afër zeros, çka kanë bërë që papunësia të qëndrojë mbi 20 për qind.
Politika e jashtme
Shumë shqiptarë kërkojnë integrimin në Evropë pas disa dekadash izolimi dhe vendi po përpiqet të hyjë në organizma si Këshilli Evropian apo NACC. Në të njëjtën kohë, frika për situatën ekonomike dhe pasojat e konfliktit në Jugosllavi, kanë bërë që Tirana të shikojë nga Turqia dhe vende të tjera islamike për ndihmë. Tirana shqetësohet se tensionet etnike në Jugosllavi dhe Kosovë mund të sjellin dhunë mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Shqipëria është përpjekur të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe deri tani ka mbajtur një qëndrim të moderuar për Kosovën. Tirana duket se po humbet shpresën për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe është në favor të përfshirjes aktive nëse shpërthen dhuna në Kosovë. Megjithëse aktualisht nuk ka shumë entuziazëm për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën, shumë shqiptarë do të mbështesnin ndërhyrjen ushtarake në ndihmë të kosovarëve, kundra ofensivës serbe. Në rast të shpërthimit të luftimeve, Shqipëria do të mbështesë guerrilasit kosovarë që ata të përdorin territorin shqiptar për organizim dhe për armatosje nga vende të treta.
Rreziku i tensioneve
Tirana shqetësohet se dhuna në Kosovë do të përhapet në Maqedoni. Në rast të nisjes së dhunës, rreth 150 000 refugjatë shqiptarë do të largoheshin drejt Maqedonisë, dhe kjo do të sillte rritje të tensioneve etnike atje, duke nxitur reagime anti-shqiptare nga nacionalistët maqedonas, pa përmendur vështirësitë ekonomike të vendit. Megjithë dëshirën e saj për avancimin e të drejtave etnike për shqiptarët e Maqedonisë, Tirana është përpjekur të ruajë marrëdhënie të mira me Shkupin. Berisha i ka këshilluar liderët etnikë shqiptarë të atjeshëm të punojnë me qeverinë maqedonase, e cila gjithsesi mbështetet në koalicionin me partinë e shqiptarëve për të ruajtur pushtetin. Liderët e Shqipërisë tremben se destabilizimi në Maqedoni mund të nxisë tensionet etnike në rajon dhe të kërcënojë vetë stabilitetin e Tiranës, duke e tërhequr Shqipërinë në një konflikt. Prishjet prej skandalit të paramilitarëve shqiptarë në Maqedoni dhe ndarjet mes vetë partisë kryesore shqiptare atje, kanë tensionuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë këtë dimër. Shkupi akuzoi Tiranën për furnizim me armë të organizatës paramilitare dhe gjithashtu për nxitje të përçarjeve etnike në partinë shqiptare, duke mbështetur një fraksion aktivistësh që ishte shumë agresiv ndaj qeverisë për lejimet mbi çështjet etnike.
