Etnor Canaj: Një sit arkeologjik duhet parë në tërësinë e tij, pra edhe ekosistemi dhe respektimi i natyrës

Data

Parku arkeologjik i Finiqit ka një rëndësi kryesore në aspektin historik-arkeologjik. Por zjarri që ra disa ditë më parë në park solli dhe reagime të arkeologëve dhe studiuesve të ndryshëm. Dr. Etnor Canaj arkeolog thotë se një sit arkeologjik nuk shihet vetëm në monumentet e tij, por në tërësi. Në intervistën për gazetën “SOT” dr. Etnor Canaj thotë se arkeologjia pikësëpari si bazë ka përherë respektimin e natyrës, pra ekosistemit. Ai thotë se tek ne është mendimi i gabuar që një park apo sit arkeologjik shihet vetëm tek monumentet, duke anashkaluar natyrën.

Arkeologu Etnor Canaj thotë se zjarri në parkun arkeologjik të Finiqit la një shije të hidhur, pasi është dëmtuar një ekosistem i tërë, si dhe komenton edhe deklarimet më parë të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja. Dr. Canaj që dhe më parë ka reaguar për problemet e ndryshme në trashëgiminë kulturore thotë se rëndësia e parqeve arkeologjike qëndron në aspektin kulturor, ku më pas me politika të kujdesshme vijon ai le ti kthejmë në vende të vizitueshme për publikun. Ai thotë se duhen investime në mirëmbajtje dhe restaurim, investime në kërkime shkencore në terren dhe investime në burime njerëzore.

-Zjarri në parkun arkeologjik të Finiqit solli dhe reagime të studiuesve dhe arkeologëve të ndryshëm. Por për ju si arkeolog sa dëmton kjo që ndodhi parkun arkeologjik?

Përpara se ti përgjigjem pyetjes suaj, dua të hap një parantezë të shkurtër. Do ishte e udhës që në këto raste të merremi fillimisht me shkakun dhe më pas me pasojën. Cilat janë shkaqet e zjarreve, një fenomen ky tej i përhapur në vendin tonë? Duhet të dimë që në natyrë nuk ekzistojnë flakët e lira, pra zjarri nuk lind prej asgjëje dhe duhen disa elemente që ai të lind. Sipas statistikave, vetëm 2 për qind e zjarreve lindin për arsye natyrale dhe gati 80 për qind e tyre prej dorës së njeriut. Nuk ka rëndësi në këtë rast nëse zjarret lindin qëllimisht apo aksidentalisht prej dorës së njeriut, pasi në të dyja rastet pasojat janë të njëjta dhe dëmet po ashtu. Mendoj se këtu duhet një ndërhyrje drastike në anën ligjore.

Nuk ka rëndësi nëse dikush ndez një zjarr në pronën e tij në mënyrë “të kontrolluar” për të djegur një pirg bari të thatë, shkurre apo tjetër. Këtu duhet të fokusohet ligji. Ndezja e zjarreve të lira, qofshin këto edhe të paqëllimshme, duhet të ndalet me ligj. Ndoshta nuk do parandalojë tërësisht këtë fenomen, por të paktën do tentohet të kemi ndonjë rezultat pozitiv. Gjithashtu, në anën ligjore, meqenëse ligjet egzistojnë, apo duhen modifikuar për t’u bërë sa më efikase, aplikimi i tyre duhet të jetë pa asnjë kompromis.

Sigurisht në anën tjetër duhet edhe një sensibilizim i njerëzve, por janë përherë ligjet ato që duhet të zbatohen pasi flasim për një fenomen, i cili paraqet një rrezik të lartë jo vetëm për ekosistemin, monumentet, banesat, etj, por mbi të gjitha për jetën e njerëzve. Për mua si arkeolog, sikurse çdo arkeolog tjetër apo edhe një njeri i thjeshtë, kjo çka ndodhi në parkun arkeologjik të Finiqit la me të vërtetë një shije të hidhur pasi në mënyrë të qëllimshme apo edhe jo të qëllimshme, është dëmtuar një ekosistem i tërë.

-Çfarë mund të na thoni mbi parkun arkeologjik të Finiqit si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore?

Paraku arkeologjik i Finiqit ka një rëndësi kryesore në aspektin historik-arkeologjik pikësëpari dhe jo vetëm për trashëgiminë tonë kulturore, por edhe më tej, pasi i kalon kufijtë nacional. Finiqi, apo Phoinike sikurse njihej në antikitet, është përmendur prej autorëve antik si Polibi, i cili e ka cilësuar si një ndër qendrat kryesore të Epirit antik dhe me një fortifikim gati të pathyeshëm. Në literaturën antike  vijon të përmendet edhe prej Strabonit, Tit Livit si dhe prej Ptolemeut. Jo vetëm kaq, por edhe Prokopi i Cezaresë në veprën e tij të katërt sjell disa dëshmi interesante për këtë vendbanim, i cili do vijojë të ekzistojë edhe në antikitetin e vonë deri në Mesjetë kur në shek. XV pushtohet nga Osmanët.

Pra kemi një literaturë të dorës së parë për këtë sit arkeologjik ku gërmimet arkeologjike nisin me misionin italian nën drejtimin e L. M. Ugolini në vitet njëzetë të shekullit të shkuar, në vitet tridhjetë, shtatëdhjetë dhe nëntëdhjetë dhe vijojnë gati pa ndërprerje në këto 25 vitet e fundit. Pra kemi gërmime dhe kërkime arkeologjike në gati tetëdhjetë vite. Publikimet shkencore lidhur gjetjeve arkeologjike për këtë sit tashmë njihen në arenën ndërkombëtare dhe këtu nuk kam parasysh çka publikoi Ugolini në kohën kur jetoi dhe veproi aty, por mbi të gjitha dua të sjell në vëmendje ato publikime shkencore gati sistematike duke nisur prej arkeologëve shqiptar si Dh. Budina dhe A. Nanaj për të vijuar me ato të misionit  të përbashkët shqiptaro-italian që prej vitit 2000.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related