Daily Mail” rrëfen historinë e një pasagjereje braziliane, njëra nga 62 viktimat që humbi jetën në rrëzimin e avionit Atr-72 i cili u largua nga Cascavel dhe u nis për në aeroportin ndërkombëtar të Guarulhos. Pak para se avioni të binte, Rosana Xavier, 23 vjeçe, u shkruan prindërve të saj duke thënë se është “e frikësuar”. Në WhatsApp ajo shpreh shqetësim pasi fluturimi 2283 i Voepass Linhas Aéreas nis një ulje katastrofike.
Mesazhet janë bërë të ditura nga nëna e vajzës së re, Rosemeire Xavier. TV Globo raporton: “Do të arrijmë në shi. Kam shumë frikë nga ky fluturim. Avioni është i vjetër.” Dhe më pas Rosana shkruan sërish: “Ka një sedilje të thyer. Është kaos”. Nëna tha se i kërkoi vajzës së saj të lexonte një varg nga Bibla duke u përpjekur ta qetësonte.
Avioni turboprop ATR-72 që u ngrit nga Aeroporti Rajonal Cascavel në orën 11:46 në Cascavel, Shteti i Paranës dhe u nis për në Aeroportin Ndërkombëtar të Sao Paulos, Guarulhos. Rrugëtimi i tij përfundoi në një oborr të një pallati në qytetin Vinhedo, pranë destinacionit përfundimtar. Viktimat ishin 58 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.
Avioni ishte prodhuar 14 vjet më parë në Tuluzë të Francës dhe ishte pjesë e flotës së linjës ajrore Voepass Linhas Aéreas që nga tetori 2022. Më parë ishte pjesë e flotës së Belle Air të Marokut, Belle Air Europe të Italisë, Nordic Aviation Capital të Danimarkës dhe Pelita Air Service të Polonisë. Në fillim shkaqet u shfaqën kontradiktore, më pas u fol për një paralajmërim moti që shpallte një “rrezik të lartë ngrirjeje”. Por nuk përjashtohet edhe një defekt në motor.
