Censi, ose ndryshe numërimi i popullsisë, një nga ngjarjet më të mëdha për një vend, që zhvillohet një herë në dhjetë vjet, po kalon pothuajse në heshtje.
Të dhënat ishin alarmante, duke filluar nga pakësimi i popullsisë me 420 mijë persona në një dekadë, plakja graduale e popullsisë deri te ndryshimi tërësor i strukturës sipas grupmoshave, që pa një përgjysmim të të rinjve dhe rritje të të moshuarve.
Nuk pamë asnjë anëtar të qeverisë të merrej seriozisht me këtë çështje, të analizonte tendencat dhe pasojat e saj në të ardhmen.
Përkundrazi, qeveria është shumë e zënë duke numëruar turistët që hyjnë në vend, apo duke kërkuar grupet armiqësore që po na sabotojnë!
Edhe vetë INSTAT, pjesën më të madhe të statistikave nuk i publikoi të krahasueshme me Censin e 2011, duke e vështirësuar interpretimin e shifrave. Imagjinoni, që ende nuk dihet se sa është popullsia në qytet dhe sa ajo në zonat rurale!
Ndërsa qeveria po hesht, apo bën sikur nuk ka ndodhur gjë, ka një grup tjetër që është shumë më i ndjeshëm për tendencën e popullsisë: sipërmarrjet.
Në fakt, ato prej vitesh po i vuanin pasojat dhe ishin të parat që sinjalizuan se përmasat e emigracionit, – për të cilin qeveria justifikohet se është diçka normale, që ndodh kudo – në fakt nuk ishin aspak të tilla. Ka të paktën që para pandemisë, që biznesi po ankohej se nuk po gjente forcë punëtore të kualifikuar.
Dy vitet e fundit, jo vetëm që po mungonin punonjësit, por po “fironin” edhe konsumatorët. Rënia e fuqisë blerëse u kthye në një problem madhor, që për fat të mirë u amortizua deri diku (jo plotësisht) nga turizmi, me hyrjet e të huajve që arritën rekord dhe shënuan rritje dyshifrore pas pandemisë.
Tashmë që realiteti u konfirmua nga të dhënat zyrtare, bizneset po stepen edhe më tej.
Shifra e popullsisë, përbërja sipas grupmoshave dhe tendenca e tyre në të ardhmen janë elementet kryesore që shikon çdo sipërmarrje e cila vepron në tregun vendas në planet e biznesit afatshkurtra, afatmesme e sidomos ato afatgjatë.
Të anketuar nga “Monitor”, përfaqësuesit e sipërmarrjeve më të mëdha në vend, që janë të përqendruar në tregun e shumicës e pakicës, pohuan se ata për momentin do të ngrijnë planet për investime.
Fuqia punëtore, që do të jetë gjithnjë e më pak e disponueshme për shkak të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe konsumi i dobët, kanë shtuar pasiguritë për të ardhmen.
