Tensionet e fundit në Lindjen e Mesme kanë ngritur shqetësime se përveç konfliktit për naftën dhe energjinë, rajoni mund të përballet edhe me një përplasje për burimet e ujit, një faktor jetik për miliona banorë.
Bombardimet izraelite ndaj rafinerisë Shahran dhe objekteve të magazinimit të naftës pranë Teheranit kanë rritur tensionet energjetike në rajon. Paralelisht, një lajm i rremë i publikuar nga media ndërkombëtare pretendonte se Emiratet e Bashkuara Arabe kishin goditur impiantet iraniane të shkripëzimit të ujit, duke shkaktuar frikë për një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Megjithatë, Emiratet e mohuan menjëherë lajmin duke e cilësuar si dezinformim. Ndërkohë, Bahreini raportoi më pas dëme materiale në një impiant desalinizimi pas një sulmi me dron që ia atribuoi Iranit.
Në rajonin e Gjirit, më shumë se 100 milionë njerëz varen drejtpërdrejt nga impiantet e shkripëzimit për furnizimin me ujë të pijshëm. Qytete të mëdha si Dubai, Abu Dhabi, Doha dhe Manama nuk do të mund të funksiononin pa këto struktura jetike.
Përveç furnizimit me ujë për popullsinë, këto sisteme janë thelbësore edhe për zhvillimin urban, turizmin dhe ekonominë e rajonit. Aktualisht, në Gjirin Persik operojnë mbi 400 impiante desalinizimi që furnizohen kryesisht me energji nga nafta dhe gazi, duke përbërë rreth 60 për qind të kapacitetit global të prodhimit të ujit të pijshëm nga deti.
Arabia Saudite operon tetë nga dhjetë impiantet më të mëdha të këtij lloji në Lindjen e Mesme, ndërsa dy të tjerat ndodhen në Izrael. Edhe Irani përballet me probleme serioze të furnizimit me ujë, sidomos në kryeqytetin Teheran, ku rreth 15 milionë banorë përballen me mungesa të ujit të pijshëm për shkak të thatësirave të shpeshta dhe rrjeteve të vjetëruara të furnizimit.
Analistët paralajmërojnë se nëse sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore vazhdojnë, rajoni mund të përballet me pasoja shumë më të rënda se një krizë energjetike, duke rrezikuar destabilizimin e gjithë Lindjes së Mesme.
