Dypunësimi i mjekëve në Shqipëri është një çështje e bërë shpesh objekt debatesh. Janë të shumtë mjekët që punojnë në spitalet shtetërore dhe paralelisht në klinikat e tyre, ose në subjekte të tjera private.
Kjo çështje u kthye sërish në qendër të vëmendjes muajt e fundit, kur disa përgjime të prokurorisë treguan se një mjek i Spitalit Onkologjik në QSUT shpërdoronte detyrën e tyre, duke i orientuar pacientët në klinikën e tij private.
Nga përvoja personale apo të personave të afërt, dimë se referimi i pacientëve nga mjekët e spitaleve publike në klinika private është një praktikë mjaft e përhapur.
Disapunësimi i mjekëve, jo vetëm që shtron probleme të natyrës etike dhe të konfliktit të interesit, por në raste të caktuara vendos në dyshim edhe mundësinë e mjekëve për të kryer detyrën me përgjegjësinë e duhur.
Subjekte, që veprojnë në tregun e laboratorëve mjekësorë privatë, kanë ndarë me “Monitor” shqetësimin për disapunësimin masiv të mjekëve laborantë.
Sipas këtyre subjekteve, ka mjekë të punësuar në aq shumë laboratorë njëherësh, sa është fizikisht e pamundur që ata t’i kryejnë realisht funksionet e tyre në secilin prej laboratorëve ku rezultojnë të punësuar.
Kjo nënkupton se shumë drejtues e kryejnë funksionin e tyre vetëm në mënyrë fiktive, pa përmbushur detyrat që kërkon legjislacioni në realizimin dhe interpretimin e analizave mjekësore.
Disapunësimi i mjekëve, problem për tregun e laboratorëve
Burime nga tregu thonë për “Monitor” se, nga studimi që i është bërë tregut të laboratorëve mjekësorë në Shqipëri, ekziston problemi madhor i punësimit të mjekëve të laboratorit klinik biokimik, të cilët kanë dhënë licencën si drejtues teknikë në shumë laboratorë në të njëjtën kohë, qofshin këta laboratorë mjekësorë më vete apo laboratorë të atashuar pranë qendrave të tjera shëndetësore private dhe shtetërore njëkohësisht.
Sipas këtyre burimeve, në Shqipëri ka disa mjekë laboratori që janë drejtues teknikë në 10-15 laboratorë në të njëjtën kohë, madje disa syresh edhe më shumë se 20 laboratorë dhe klinika të ndryshme, nga Veriu ne Jug. Ndërsa, shumica e tyre janë drejtues teknikë në 4-5 laboratorë dhe klinika të ndryshme.
Sipas këtyre burimeve, kjo praktikë është e papranueshme dhe e rrezikshme për shëndetin e pacientëve. Kontrolli dhe menaxhimi i kaq shumë laboratorëve njëherësh është i pamundur fizikisht, madje as me mjete elektronike.
Urdhri Nr.49, datë 11.02.2011 i Ministrit të Shëndetësisë për miratimin e rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Laboratorëve Mjekësorë”, në nenin 10, pika 1, përcakton se “Laboratori mjekësor ka drejtues teknikë.
Realizimi dhe interpretimi i testeve të mjekësisë laboratorike përbën një akt mjekësor dhe për pasojë, drejtimi teknik i laboratorit është thelbësor për performancën qё ofron një laborator i tillë”.
Sipas burimeve nga tregu, në Shqipëri janë gjithsej 94 mjekë laboratori klinik biokimik të licencuar nga Urdhri Mjekut. Nëse në Shqipëri do të aplikohej, për shembull, ligji gjerman, numri total i laboratorëve mjekësorë klinikë biokimikë do të ishte 94.
Nisur nga ky paragraf i Urdhrit të mësipërm, si dhe referuar punës që kryen drejtuesi teknik, në një laborator klinik-biokimik në kryerjen, kontrollin, validimin dhe interpretimin e të gjitha analizave që kryhen në laborator, burimet shprehen se është e pamundur të realizohet misioni i mjekut për mbrojtjen e shëndetit të pacientit.
“Kjo duke pasur parasysh veprimtarinë specifike të kryerjes së analizave; kontrollit të mënyrës së kryerjes së analizave; validimin e tyre; interpretimin e tyre te pacienti; kapacitetin njerëzor e profesional për kryerjen e kësaj veprimtarie; kohën fizike që duhet për kryerjen e veprimtarisë në një laborator me kapacitet mesatar; nga ushtrimi i veprimtarisë në shumë vende të ndryshme veçmas apo në të njëjtën kohë; për mbrojtjen dhe garantimin e standardeve të personave të kualifikuar; për mbrojtjen e publikut nga kequshtrimi i profesionit; për mbrojtjen e pacientit si konsumator; për konkurrencën në fushën e veprimtarisë tregtare të laboratorëve mjekësorë; etj.” shprehen këto burime.
Duke pasur parasysh problemet mësipërme, subjektet sugjerojnë që të vendosen disa kufizime për dypunësimin e mjekëve laborantë, duke përcaktuar minimalisht që për Drejtuesin Teknik, dypunësimi do të lejohet vetëm brenda qytetit.
Ky parashikim do të garantonte mbrojtjen më të mirë të interesave publike, nëpërmjet ushtrimit korrekt të profesionit të mjekut dhe sigurimin e cilësisë së shërbimeve profesionale dhe respektimin e së drejtës së pacientit për marrjen e shërbimit.
