Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka finalizuar procedurat për 8 tendera të mëdhenj nga fillimi i këtij viti. Por 6 prej tyre janë fituar nga vetëm dy kompani. E megjithatë në vlera parash, bilanci është edhe më i përqëndruar.
Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, vlera e tenderave të prokuruar nga AKSHI nga 1 janari e deri më sot është 28.3 milionë euro. Nga këto, 26.7 milionë euro u fituan nga dy kompanitë e mësipërme. Kjo do të thotë se në çdo 100 lekë që shpenzohen nga AKSHI, 94 lekë shkojnë vetëm në dy kompani. Dhe dy kompanitë janë Soft & Solution dhe Fastech.

Ky është një nga oligopolet më të rënda në historinë e tenderave publikë të Shqipërisë, i cili konfirmohet nga të gjithë treguesit e tjerë.
Sipas regjistrit të prokurimeve publike, në çdo tender të AKSHI-t paraqiten mesatarisht 2.5 oferta, kur në rang kombëtar kjo shifër është 8.6 oferta për tender. Por kjo është një shifër që raporton edhe ofertat fiktive. Tregues tjetër, ai i ofertave të kualifikuara është edhe më dramatik. Sipas të dhënave, në çdo tender të AKSHI-t, kualifikohet mesatarisht vetëm 1.25 oferta, kur në rang kombëtar mesatarja është 5.6 oferta për çdo tender.
