Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka bërë një denoncim dje “në lidhje me ndërhyrjen në sistemin e farmacive online të QSUT, për të fshirë përkohësisht datën e skadencës të një medikamenti”. Vokshi ka publikuar disa e-maile, që tregojnë se ish-drejtoresha e QSUT-së Albana Fico urdhëronte drejtorin e IT, Rigers Haxhirajn që të ndryshonte datat e skadencës së ilaçeve me qëllim që të trajtoheshin fëmijët e sëmurë. Pas publikimit të emaileve, Vokshi tha se ministrja Koçiu dhe drejtoresha e QSUT-së duhet menjëherë të japin dorëheqjen pasi i gjithë sistemi shëndetësor është në një kolaps të vërtetë dhe pacientët nuk marrin asnjë shërbim. “Bëhet fjalë për një sasi prej 1137 flakon të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili. Kjo sasi e këtij medikamenti ka pasur datën e skadencës 31 dhjetor 2023. Në vlerë totale sasia e mbetur e skaduar e medikamentit FEIBA është rreth 1.35 mln EURO.
Skandali qëndron në faktin që me urdhër të ish drejtoreshës së QSUT Albana Fico, nëpërmjet një Memoje Nr. 126/65 datë 29.12.2023 janë dhënë direktiva të titullarit të institucionit Albana Fico që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike. Si mund të bëhej kjo? Vetëm me ndërhyrjen në sistem nga drejtori i IT në QSUT i cili të fshinte datën e skadencës. Kur unë e ngrita si shqetësim në dëgjesën që organizuam në Komisionin e shëndetësisë për skandalin te onkologjiku, Ministrja e shëndetësisë Koçiu, Drejtoresha e QSUT dhe Farmacisë Qendrore të QSUT e mohuan faktin ndërkohë që deputetët e PS u vunë përsëri në krah të skandalit në vend që të viheshin në krah të pacientit dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të tyre”, thuhet ndër të tjera në denoncimin e Vokshit.
