Shefi i ushtrisë së Bangladeshit, Waker-uz-Zaman iu është drejtuar kombit në një fjalim televiziv pasi kryeministrja e vendit, Sheikh Hasina, e cila u dorëhoq nga posti dhe u arratis nga vendi pas protestave të dhunshme.
Waker-uz-Zaman deklaroi se do të formohej një qeveri e përkohshme, ndërsa shtoi se do të takonte presidentin Mohammed Shahabuddin dhe shpresonte se një zgjidhje do të gjendej deri në fund të ditës.
Shefi i ushtrisë u shpreh se kishte folur me partitë politike opozitare të vendit, por ende nuk dihet se kush do të jetë në krye të qeverisë së përkohshme.
Waker-uz-Zaman gjithashtu u zotua për “drejtësi” për të gjithë popullin e Bangladeshit, diçka që protestuesit e kanë kërkuar pas vdekjes së qindra njerëzve gjatë javëve të fundit.
Turma të gëzuara njerëzish kanë dalë në rrugë në Bangladesh, duke festuar largimin e kryeministres Sheikh Hasina, që mbante pushtetin prej vitit 2009.
Ndërkohë, Channel24 i Bangladeshit transmetoi pamjet e protestuesve që hynë në rezidencën zyrtare të Hasina-s në Dhaka, ku disa prej tyre përshëndesin nga kamera.
Sheikh Hasina mësohet se është larguar me helikopter nga vendi së bashku me motrën e saj. Sipas raportimeve, “vendi i sigurt” ku ka udhëtuar Sheikh Hasina është shteti fqinj, India.
Me kalimin e viteve, India ka qenë aleati i saj më i madh dhe dy vendet kanë pasur marrëdhënie diplomatike të mira.
Gjatë kohës së saj në pushtet, Hasina shtypi grupet militante anti-Indiane në Bangladesh, duke fituar miq në Delhi.
