Megjithëse u janë pezulluar punimet për paligjshmëri, makineritë e kompanisë “Sang 1” janë rikthyer ditët e fundit në Thirrë të Mirditës për të vijuar punimet për ndërtimin e hidrocentralit në këtë zonë.
Ato u pikasën nga banorët, të cilët prej pesë vitesh kundërshtojnë punimet përmes protestave dhe nisjes së proceseve gjyqësore.
“Nga kjo çështje ne nuk do të lëvizim deri sa të na marrë zoti shpirtin. Jemi në të drejtën tonë, prandaj i lutem edhe njëherë shtetit tonë, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, krimit ekonomik, të mos na sorollatin, por të vijnë dhe të na sjellin një vendim. Ose jemi ne të paligjshëm, ose të marrin masa të na e heqin ne si popull këtë paligjshmëri se ne besimin te shteti e kemi”,- u shpreh Ndue Prenga, banor i zonës.
Në shtator të vitit 2023, zyra përmbarimore Lezhë pezulloi punimet për hidrocentralin. Pasi panë makineritë në terren, banorët iu drejtuan sërish kësaj zyre , e cila u shpreh se pezullimi i punimeve prej saj është ende në fuqi.
“Në Zyrën e Përmbarimit Lezhë nuk është regjistruar deri më tani asnjë vendim gjykate që ka vendosur anulimin e veprimeve tona përmbarimore ndaj Shoqërisë “Sang 1” shpk. Përsa i përket vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 16.11.2023, e cila ka vendosur “prishjen e vendimit nr.152 datë 15.06.2023 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe kthimin për rishqyrtim në po atë gjykatë me të njëjtin trup gjykues, ju bëjmë me dije se akoma nuk kemi një vendim të kësaj gjykate e cila na jep kompetencë ligjore për të anuluar veprimet përmbarimore”,- tha në përgjigjen e saj Zyra Përmbarimore Lezhë.
