Vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimmarrjen e Kuvendit sa i përket mandatit të deputetes Olta Xhaçka, kritikon ashpër shumicën parlamentare për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda.
Në vendimin e zbardhur në 30 korrik, Gjykata Kushtetuese arsyeton se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës në shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe se kjo shkelje e kushtetutës kishte prodhuar një krizë të re, që veç të tjerash cenon vetë themelet e shtetit.
“Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës”, shkruhet e bardhë në të zezë në vendimin e arsyetuar të Gjykatës.
Vendimi i Gjykatës u mor më 10 korrik me shumicë 8 me 1 dhe është i dyti në radhë që e gjen shumicën në Kuvend në shkelje të kushtetutës sa i përket mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në vendim Kushtetuesja e urdhëron Kuvendin të dërgojë për shqyrtim para saj kërkesën e opozitës për të shqyrtuar “papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
Xhaçka akuzohet se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.
