Ja si dy vendimet e hapura korruptive me bekimin e Belinda Ballukut po shkatërrojnë dhe falimentojnë mijëra biznese…

Data

Skandalet e zv/kryeministres Belinda Balluku nuk kanë fund. Dy vendime të hapura korruptive të qeverisë ku shfaqet dora e Ballukut po falimentojnë e shkatërrojnë mijëra biznese. Ka qenë Partia Demokratike që ka denoncuar së fundmi se vendimi për të bllokuar hyrje-daljet në Thumanë, nga autostrada për në rrugën e vjetër të Fushë-Krujës, është i papranueshëm dhe korruptiv. Nga ana tjetër Partia e Lirisë ka ngritur alarmin për situatën me bizneset turistike ku me bekimin e Ballukut po gjobiten në mënyrë të paligjshme shumë biznesmenë.

Balluku po falimenton 1000 biznese

Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti e cila me anë të një deklarate për shtyp denoncoi se vendimi për të bllokuar hyrje-daljet në Thumanë është një vendim korruptiv dhe arbitrar që po falimenton 1 mijë biznese që ndodhen ne aksin Thumanë-Fushë Krujë. “Bllokimi i hyrje-daljeve në Thumanë, nga autostrada për ne rrugën e vjetër të Fushë-Krujës, është i papranueshëm dhe një vendim i hapur korruptiv. Ky vendim që ka bekimin dhe lejen e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës, po falimenton më shumë se 1000 biznese që ndodhen ne aksin Thumane-Fushë Kruje. Jo vetëm kaq, por po pengon lirinë e lëvizjes, një nga kolonat kryesore për të cilën studentët, punëtorët dhe intelektualët u ngritën para 32 vitesh.

Ky vendim arbitrar qëndron edhe sot, edhe pse banorët e zonës kanë protestuar dhe e kanë kundërshtuar projektin. Ata janë sot të izoluar me keq se në komunizëm, atyre u duhet të shkojnë në shtëpi apo punë duke i rënë rreth e qark, dhe duke paguar tarifën e babëzisë qeveritare. Korrupsioni nuk ka sy dhe veshë, por vetëm stomak. Oreksi i madh i qeverisë për propaganda, për të thënë se ka shkurtuar kohën e udhëtimit, u zgjat rrugën për në shtëpi banorëve të zonës së Krujës dhe u shkurton jetën bizneseve të tyre të vogla dhe të mesme”, u shpreh ajo.

Goditje për shqiptarët e Kosovës

Sipas saj, ky vendim prek shqiptarët e Kosovës “Për Edi Ramën, vetëm bosët e mëdhenj duhet të lulëzojnë; të vegjlit dhe të mesmit “hëngshin kokat e tyre”. Mungesa e hyrje-daljeve në disa fshatra, si Thumana, etj, apo edhe në qytetin e Fushë Krujës dhe degdisja e banorëve ne disa rruge dytësore, përbën problem jo vetëm për ta por për të gjithë zonën e Veriut. Zgjidhja e vetme është të paguajnë gjobën e qeverisë. Kjo është edhe arsyeja e kësaj degdisjeje dhe këtij abuzimi. Shqiptarët e Kosovës rëndohen edhe më shumë, sepse për të arritur në Tiranë, Durrës apo në Jug, duhet t’i nënshtrohen 2 pagesave të ekzagjeruara dhe korruptive.

Për të kundërshtuar këtë padrejtësi, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone dhe të gjithë udhëtarëve të këtij aksi, qendror për transportin në Shqipëri, si deputete e Partisë Demokratike kam depozituar dje në Kuvend një kërkesë për Interpelancë me Ministren Belinda Balluku. Ne fajësojmë qeverinë për këtë akt të mirëfilltë klientelist dhe korruptiv. Ne nuk mendojmë se populli shqiptar ka sot qeverinë që meriton. Ne jemi partia qeveria e së cilës ndërtoi rrugë, por nuk u kërkoi tri herë taksë shqiptarëve”, thuhet në denoncimin e PD.

Gjobat e majme

Situatë të vështirë me vendimin tjetër ku del Balluku është dhe me bizneset turistike. Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një deklarate për shtyp nga selia tha se PL dënon raprezaljen e Qeverisë, ndaj bizneseve në fushën e hotelerisë që zhvillojnë aktivitet në bregdet, buzë liqeneve apo lumenjve, që në kulmin e sezonit turistik po gjobiten arbitrarisht nga Task-Forca e dyshes Balluku-Kumbaro. Sipas tij është detyrimi me forcë i bizneseve turistike që kanë kontratë të rregullt me Ujësjellës-Kanalizime për ujërat e ndotura, për të blerë impiante për përpunimin e tyre, që kushtojnë nga 20 deri në 100 mijë euro, në të kundër u rrezikohet heqja e licencës, nuk është gjë tjetër veçse paligjshmëri.

“Partia e Lirisë dënon me forcë reprezaljen e Qeverisë, ndaj bizneseve në fushën e hotelerisë që zhvillojnë aktivitet në bregdet, buzë liqeneve apo lumenjve, që në kulmin e sezonit turistik po gjobiten arbitrarisht nga Task-Forca e dyshes Balluku-Kumbaro. Detyrimi me forcë i bizneseve turistike që kanë kontratë të rregullt me Ujësjellës-Kanalizime për ujërat e ndotura, për të blerë impiante për përpunimin e tyre, që kushtojnë nga 20 deri në 100 mijë euro, në të kundër u rrezikohet heqja e licencës, nuk është gjë tjetër veçse paligjshmëri”, thuhet në denoncim.

Vendim korruptiv

Blushi tha se është kriminale vendosja e gjobave ndaj bizneseve nga 15 milion në 30 milion lekë, për të cilat vetëm në gjykatë mund të ankohesh.”Është kriminale vendosja e gjobave ndaj bizneseve nga 15 milion në 30 milion lekë, për të cilat vetëm në gjykatë mund të ankohesh. Gjobat ndaj bizneseve turistike që kanë kontrata të rregullta me shtetin janë zhvatje me licencë qeveritare ndaj duhet të ndalen urgjentisht. Partia e Lirisë solidarizohet me të gjithë sipërmarrësit e ndershëm në fushën e hotelerisë në bregdet dhe i bashkohet thirrjes së shoqatave të turizmit për t’i dhënë fund raprezaljes ndaj tyre.

I bëjmë thirrje dyshes së babëzitur Balluku-Kumbaro të ndryshojë udhëzimin që favorizon shitësit e impianteve të ujërave të zeza dhe që nuk synon aspak mbrojtjen e mjedisit. Task-Forca gjobëvënëse duhet të ndalë urgjentisht shantazhet, kërcënimet dhe zhvatjet ndaj bizneseve në fushën e hotelerisë në bregdet. Partia e Lirisë i fton të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në bregdet, buzë liqeneve apo lumenjve të reagojnë fuqimisht ndaj gjobvënies arbitrare të Qeverisë”, tha Blushi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related