SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë Finiq, Leonidha Hristo, i akuzuar për abuzim me tendera dhe 4 ish-zyrtarë të kësaj bashkie.
Leonidha Hristo, Florian Peri, Stavro Çavo, Lefteria Mekshi dhe Lefter Karajani akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka konstatuar se në Bashkinë Finiq gjatës periudhës 2017-2019 janë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike.
Konkretisht bëhet fjalë për, Leonidha Hristo, i cili ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë Finiq dhe ka pasur rolin e titullarit në procedurat e prokuruara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.
Florian Peri ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Njësisë së Prokurimit dhe ka pasur rolin e zyrtarit të prokurimit në procedurat e zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.
Stavro Çavo ka pasur detyrën e anëtarit të NJP (Njësia e Prokurimit) dhe KVO (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave), si dhe është marrë me administrimin e procedurave të prokurimit në autoritetin kontraktor Bashkia Finiq.
Lefteria Mekshi ka pasur detyrën e anëtarit të NJP dhe KVO në procedurat e zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.
Lefter Karajani ka mbajtur detyrën e Juristit dhe specialistit të Prokurimeve në Bashkisë Finiq.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, rezulton se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës.
Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, Leonidha Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.
“Në analizë të provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak rezulton e provuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga të pandehurit Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës. Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, i pandehuri Leonidha Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.
Anëtarët e NJP dhe KVO kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni, që kanë qenë pjesë e NJP apo KVO dhe nuk kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në pjesën më të madhe të procedurave deklarojnë se nuk e kanë kryer ata vlerësimin e ofertave dhe nuk kanë hyrë në sistemin elektronik të prokurimeve, si dhe nuk kanë përpiluar dokumentacion/procesverbal, pasi nuk kanë patur dijeni për procedurat e prokurimit”, njofton SPAK.
Po ashtu, nga hetimet e prokurorisë së Posaçme, rezulton se vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga shtetasit e caktuar si anëtarë te KVO-së, por është kryer defacto nga Florian Peri duke përdorur IP e Bashkisë Tiranë (ku ka qenë i punësuar më parë) apo të kompanive në pronësi të familjarëve të tij.
