Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) me siguri ka trazuar “ujërat” mes kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij Linda Rama. Pasi gazeta “SOT”, raportoi së fundmi artikullin me titull: “Linda Rama denoncon bashkëshortin, Shqipëria parajsa e parave të pista, 3 miliard euro para krimi në vit pastrohen gjatë qeverisjes ‘Rama’”, bashkëshortja e kryeministrit e alarmuar ka thirrur me urgjencë në takim përfaqësuesen e UNDP. Sipas burimeve, takimi i tyre është bërë në një lokal luksoz në Tiranë. Si të mos shqetësohej Linda Rama, pasi në raportin ku shfaqej emri i saj te UNDP i titulluar “Vlerësimi i Financës së Zhvillimit në Shqipëri” thuhet se ekonomia shqiptare është e përmbytur nga flukset e paligjshme financiare.
“Flukset e paligjshme financiare përbëjnë një sfidë të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në termat e efektit gërryes në burimet financiare private, integrimin e tyre në sistemin financiar, lidhjen me ekonominë e madhe informale dhe minimin e shtetit, demokracisë dhe institucioneve publike. Në raportin e Linda Ramës, thuhet se 3 miliard euro para krimi në vit pastrohen gjatë qeverisjes “Rama”. “Në vitin 2020, madhësia e ekonomisë shqiptare ishte rreth 16.5 miliardë euro. Kjo do të thotë se sipas vlerësimeve të raportit, 3.2 miliardë euro ishin flukse të paligjshme financiare me origjinë nga aktivitetet kriminale si trafiku i drogës, korrupsioni apo dhe evazioni fiskal. Vërshimi i narkoeurove në ekonominë shqiptare është shndërruar në një nga problemet më të mëdha për ekonominë shqiptare duke ndikuar edhe parametrat makroekonomik të vendit si ecurinë e inflacionit, por edhe kursin e këmbimit.
Alarmi që ngriti DASH
Pastrimin e parave në Shqipëri e ngriti dhe raporti i fundit i publikuar dy ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në raport theksohet se Shqipëria vuan dhe ka probleme të theksuara me sektorin informal të parave të pista si dhe me pastrimin e tyre. Po ashtu nga raporti bëhet me dije se përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë. Ndërkohë që theksohet se korrupsioni qeveritar vonon dhe parandalon investimet e huaja në Shqipëri. “Shqipëria vuan nga një sektor i madh informal dhe nga aktivitetet e pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në 2020. Nga viti 2020-2022, vendi iu nënshtrua katër raporteve vijuese dhe përmirësoi performancën e tij në përputhshmërinë teknike, duke rezultuar në heqjen nga lista gri në tetor 2023.
Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët raportojnë se ata mund të jenë objektiv i zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale. Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar”, thotë raporti i DASH.
Edi Rama “i verbër”
Edhe pse ja thonë raportet e amerikanëve, por edhe gruaja e tij se në Shqipëri pastrohen para, Edi Rama e mohon fenomenin e pastrimit masiv të parave në ekonominë shqiptare.“Dini ndonjë vend të botës që nuk pastrohen para. Para pastrohen kudo, por ama është e pavërtetë që këtu në Shqipëri, pastrimi i parave është kaq masiv sa të flitet për 1.3 miliardë nga ndërtimi. Këto janë shifra të dala nga raporte të njerëzve anonimë që financohen herë nga një institucion herë nga tjetri, por nuk qëndrojnë. Këto dëmtojnë vendin tonë por nuk qëndrojnë. Unë nuk them që nuk pastrohen para por proporcionet nuk janë ato që thuhen,” u shpreh Rama pak kohë më parë në një intervistë televizive.
