Presidentja e Kosovës ka kërkuar garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja e Ohrit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Për ç’garanci bëhet fjalë?
Prishtinës zyrtare i bëhet vazhdimisht presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas krerëve të shtetit të Kosovës krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë lëshime, që dëmtojnë funksionalitetin e saj.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kërkuar garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit, duke aluduar për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si çështja ku Prishtinës zyrtare i bëhet më së shumti presion
Garancitë e Kosovës, sipas Presidentes, kanë të bëjnë me siguri dhe mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte, sipas saj, më shumë paqe e siguri në rajon. Këto komente presidentja Osmani i bëri për mediet amerikane gjatë vizitës së saj të fundit në SHBA. Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, disa herë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që draftin e BE-së të Asociacinonit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, por qeveria nuk e ka proceduar tutje.
Jo koncesione që dëmtojnë funksionalitetin e shtetit
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht, është shprehur presidentja Osmani. Mirëpo sipas presidentes “krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”. Sipas presidentes, Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen.
Kurti: Draft ndërkombëtar, jo vendor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, deri tani ka refuzuar që draftin e BE-së për Asociacionin ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ai nuk është dokument i institucioneve të Kosovës dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë për shqyrtim një dokument ndërkombëtar. Kryeministri sugjeron që dokumentet ndërkombëtare si drafti i propozuar nga i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, të dërgohen në Këshillin e Evropës apo në Komision e Venecias.
“Pesë emisarët kanë sjellë një draft që është draft ndërkombëtar, nuk është vendor. Në Gjykatën Kushtetuese ne dërgojmë dokumente që janë vendore, një dokument që është ndërkombëtar le të shkojë të testohet në instancë ndërkombëtare. Draftin e Lajçakut lirisht le ta dërgojnë te juristët në Këshill të Europës dhe Komision të Venecias. Dokumentin tim unë e çoj në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur i prerë Kurti. Kryeministri argumenton se ai mund ta shkruajë një draft, por “duhet të jetë pjesë e paketës ku e kemi marrëveshjen bazike, aneksit dhe unë nuk e mohoj se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të kishte vendin e vet. Por nuk mundesh Asociacionin ta nxjerrësh nga paketa, ta hedhësh paketën dhe ketë Asociacion t’ia bësh një draft ndërkombëtar e ta testosh në Gjykatën Kushtetuese”.
