Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
Memuaristikë
Gjashtëqindëgramshit
(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes
“Po këto ç’janë”?! – u tranda.
“Në zarf ke pyetjet, kur të kthehesh në qeli, hape, lexoji, bluaji njëherë në kokë dhe pastaj shkruaj. Po s’të dolën letrat, kam porositur rojën të të jap të tjera. Po, kujdes ama, përgjigjet me mend në kokë”! – m’u drejtua me gishtin tregues të ngjitur mbi tëmtha dhe me ton paksa më autoritar, shtoi: – “Tani të ndahemi, mirupjekshim”,- më dha dorën dhe duke dale nga dera u kthye edhe njëherë: – “Avash, ke kohë plotë”!
Më shoqëruan në dhomat e izolimit. Kur po i drejtohesha birucës sime, roja më ndali te pragu i derës. “Merri plaçkat, se do të çojmë në një qeli tjetër”!
Hyra brenda, mora dy batanijet dhe paguret, s’kisha pasuria tjetër aty, atë birucë. Më futën në një qeli më të madhe, ballë derës hyrëse të korridorit.
“Tani do rrish këtu, është më e mirë nga ajo ku ishe dhe ka më shumë dritë. Pastaj, je edhe afër nesh, xheku ngel, ndonjë garuzhde supë”.
Mbasi mbylli derën, polici shprehu habi:
“Ore, ore, po paske pasur mik të fort, ti”!
Atje kish një shtrat druri, me një dyshek kashte sipër. Duket, qe birucë ksi, për të mëdhenj. Kur e krahasova me qelinë ku rrija më parë, ish me vërtet odë hoteli.
