Këshilli i Ministrave autorizoi ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar “G37 Chambers” për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit. Po ashtu me subjektin “G37 Chambers” do të negociohet edhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve. Negocimi do të synojë identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale të fushave kryesore që lidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, si dhe garantimin e të drejtave e të lirive themelore të qytetarëve, në kuadër të rekomandimeve prioritare. Po ashtu negociimit do të ketë objekt identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale mbi politikën penale të ndjekur deri më tani, me fokus krimin e organizuar e antikorrupsionin dhe tendencat e kriminalitetit në vend, duke dhënë edhe rekomandime për vendimmarrjen e ardhshme për politikën penale. Sipas vendimit do të evidentohet marrja dhe analizimi i të dhënave për vlerësimin e rekomandimeve të dhëna në luftën kundër kriminalitetit, si dhe për vlerësimin e politikës penale, që duhet të hartojë Ministria e Drejtësisë në përmbushje të detyrimit ligjor. Me subjektin ndërkombëtar do të negociohet edhe mbi identifikimin e kritereve të qarta dhe të matshme të cilat do të shërbejnë si një pikënisje për daljen në konkluzione për rekomandimet që duhet të jepen, bazuar në vlerësimin e problematikave dhe gjetjeve mbi tendencat e kriminalitetit në vend, me fokus krimin e organizuar dhe antikorrupsionin në kategori të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore që mbrohen nga Kodi Penal. Por kush është G37 Chambers”? G37 Chambers është një kompani me specialistë të së Drejtës Ndërkombëtare me qendër në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Në faqen e saj ndër të tjera kjo kompani informon se ka dhënë udhëzimet aktuale ku përfshijnë rastet dhe hetimet e profilit të lartë para gjykatave vendase në Angli dhe Uells dhe jashtë saj, gjykata të specializuara (Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë), gjykatat dhe institucionet rajonale të të drejtave të njeriut (si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut) dhe gjykatat ndërkombëtare, siç janë Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Kjo kompani ka aktivitetin e saj në shtete si Argjentinë, Bahrein, Bangladesh, Bosnjë dhe Hercegovinë, Burma/Myanmar, Kamboxhia, Kili, Kolumbi, Kroaci, Xhibuti, DRC, Ekuador, Egjipt, El Salvador, Gambia, Guantanamo, Guatemala, India, Iraku , Izraeli, Kenia, Kosova, Libani, Libia, Maldivet, Meksika, Monako, Mali i Zi, Holanda, Nigeria, Pakistani, Palestina, Peruja, Ruanda, Arabia Saudite, Serbia, Sudani i Jugut, Spanja, Sri Lanka, Siria, Tunizia, Turqia, Ukraina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Venezuela dhe Jemeni.
Ministria e Drejtësisë kërkon shërbim konsulence për luftën kundër kriminalitetit, Rama autorizon Manjën të nisë negociatat me “G37 Chambers” në Londër
Data
