Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar tonet ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, gjatë një takimi me mbështetësit, duke deklaruar se lidershipi aktual nuk mund ta rikthejë partinë në pushtet.
Salianji u shpreh se opozita nuk mund të kërkojë ndryshim për Shqipërinë pa reflektuar më parë brenda vetes.
“Kjo parti nuk vazhdon dot më kështu. Nuk pretendojmë dot ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë dot veten”, deklaroi ai.
Sipas ish-deputetit demokrat, qytetarët janë të pakënaqur me qeverinë e Edi Rama, por njëkohësisht nuk mbështesin drejtimin aktual të Partisë Demokratike.
“Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverinë dhe Edi Ramën, por nuk mbështesin lidershipin e PD-së”, tha Salianji.
Ai deklaroi hapur se Berisha nuk mund ta çojë më PD-në drejt fitores.
“Sali Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet, as sot, as nesër dhe as kurrë. Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është fitore personale për të, por humbje e madhe për PD-në, opozitën dhe Shqipërinë”, u shpreh ai.
Salianji akuzoi gjithashtu Berishën se po shfrytëzon besnikërinë e demokratëve dhe respektin për historinë e tij politike.
“Ai abuzon me besnikërinë e demokratëve dhe respektin e njerëzve për moshën dhe historinë e tij”, deklaroi Salianji.
Në fund, ai ngriti shqetësimin për humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike ndër vite, duke kërkuar reflektim dhe përgjegjësi politike për situatën aktuale të opozitës.
