Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht Klodian Zoton për aferën e Inceneratorëve. Në dosjen hetimore të SPAK, theksohet se Zoto akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim. Më parë Klodian Zoto është shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme për Inceneratorin e Elbasanit dhe është dënuar me 10 vite burg, por me gjykimin e shkurtuar, nga dënimi i Zotos janë ulur 3.2 vite burg.
Pjesë nga Dosja hetimore:
1-“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore” në bashkëpunim, me shtetasin Mirel Mërtiri, në lidhje me dhënien e përfitimit në vitin 2019 nga shoqëria ITS sh.p.k. të vlerës prej 420 356 lekë dhe dhënien e përfitimit nga shoqëria ITS sh.p.k. të vlerës 1 587 017 lekë, në vitin 2020, në formën e kryerjes së pagesave për investimin tek Airbnb, shtetasit Arben Ahmetaj nëpërmjet shtetases Albina Mançka.
2-“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, në format dhe episodet e mëposhtme:
3-Në lidhje me shumën e investimit, në ambjentin AIRBNB, prej minimalisht 2 703 524.3 (dymilionë e shtatëqind e tre mijë e pesëqind e njëzetë e katër pikë tre) lekë leke, në bashkëpunim me shtetasit Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe Mirel Mertiri.
II.Në lidhje me shumën prej 170 480 euro të dhënë në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pasqyruar si shitje e bërë shtetasit Andi Boni, në bashkëpunim me shtetasit Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe Mirel Mertiri.
III. Në lidhje me shumën prej 270 000 euro të dhënë në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, shtetasit Arben Ahmetaj, nëpërmjet shtetasve Albina Mançka, Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, në bashkëpunim me shtetasit Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe Mirel Mertiri
Në lidhje me veprimet e kryera për kalimin e pronësisë, shtetasit Arben Ahmetaj nëpërmjet shtetasve Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha, në lidhje me vilën në Hamallaj, në bashkëpunim me shtetasit Mirel Mertiri, Arben Ahmetaj dhe Erjola Hoxha.
1-Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar fillimisht procedimin penal nr. 277 të vitit 2020, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim.
