Koncesionet në Shëndetësi, ja pazaret e PS dhe Rithemelimit për të mos prekur Klodian Allajbeun, si u “sakrifikuan” dy komisione hetimore për shkak të lidhjeve të Shkëlzenit me oligarkun e kryeministrit

Data

Çfarë po ndodh me shëndetësinë shqiptare? Ngado të rrotullohesh nëpër sektorin e shëndetësisë, kudo përplasesh me një emër: Klodian Allajbeu. Ky njeri, i cili është pronar i spitaleve private deri para pak vitesh krejt i panjohur në Tiranë, është shndërruar në Zot. S’ka konkurrencë, luan në treg i vetëm dhe pikëpyetjet që vërtiten rreth tij nisin nga lidhjet e forta që ka në politikë. Këto lidhje dolën zbuluar disa javë më parë, ku PS dhe Rithemelimi arritën një marrëveshje për të mos prekur Klodian Allajbeun. Ai është kursyer nga “Rithemelimi” pasi dy koncesione të fituara prej tij në një vlerë prej rreth 28 milionë euro, u hoqën nga objekti i hetimit të Komisionit hetimor të Kuvendit në shëndetësi. Mësohet se në kërkesën e parë të dorëzuar në Kuvend disa muaj më parë, është kërkuar hetimi për katër koncesione në shëndetësi, por çuditërisht pas marrëveshjes me socialistët “Rithemelimi” ka paraqitur një kërkesë të “përditësuar” ku befas hoqi 2 koncesione të fituara nga Klodian Allajbeu, përkatësisht koncesionin e dializës dhe atë të laboratorëve. Të dy këto koncesione të dhuruara nga Edi Rama te Allajbeu i kushtojnë shqiptarëve nga taksat e tyre përkatësisht 9 milionë euro në vit dhe 19 milionë euro në vit, pra në total rreth 28 milionë euro në vit. Ndërkohë dy koncesionet e tjera që janë “preferuar” nga “Rithemelimi” për t’u përfshirë në komisionin hetimor janë koncesioni i check-up dhe ai i sterilizimit, ku ky i fundit tashmë është hetuar nga SPAK dhe i ka kaluar gjykatës me disa të pandehur, përfshirë këtu eshë Ilir Beqaj.

Shkëlzen Berisha në mes

Dyshohet se dy komisionet hetimore u sakrifikuan nga Rithemelimi për shkak të lidhjeve të Shkëlzenit me Allajbeun. Për të vërtetuar këto lidhje, gazetari Adriatik Doçi ka zbardhur pak kohë më parë disa dokumente duke zbatuar skemën “ndiq paranë”. Ai nxori për herë të parë emrin e djalit të Sali Berishës, Shkëlzenin. “Në fillim të vitit 2016, shërbimi i dializës për të sëmurët nga veshkat u dha me koncesion për 10 vjet, me vlerë rreth 84 milionë euro. Koncensioni u fitua nga kompania DiaVita. Sipas kontratës me qeverinë, DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Kontrolli i Lartë i Shtetit në disa raporte ka konstatuar se DiaVita ka marrë rreth 600 mijë euro pa nisur zbatimi i kontratës dhe në vijim ka marrë miliona euro në mënyrë të paligjshme për punë të pakryera, një skemë kjo e njohur për koncesionet abuzive në Shqipëri. Deri në tetor të vitit 2019, DiaVita ishte në pronësi të Spitalit Amerikan (15 % të aksioneve) dhe kompanisë Evita (85 % të aksioneve). Spitali Amerikan, me administrator Klodian Allajbeu, është në pronësi të kompanisë Balkan Alliance Healthcare B.V., me seli në Amsterdam dhe me adresë në Naritaweg 165, 1043 BE Amsterdam, përfaqësuar nga Klodian Allajbeu. Në mars 2023, Allajbeu i blen vetes së tij për 24 milionë euro kompaninë Balkan Alliance Healthcare B.V., nëpërmjet një tjetër kompanie (të regjistruar po në Holandë), KA Healthcare BV, për një çmim të vlerësuar në rreth 24 milionë euro”, shkruan Doçi.

Skema me kushërirën e tij të parë

“Për t’i blerë spitalin vetes, Allajbeu ka marrë një kredi 16 milionë euro tek banka OTP Albania në pronësi të oligarkut rus të Putinit, Megdet Rahimkulov. Paratë e tjera do t’i gjejë rrugës! Autoriteti i Konkurrencës, Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Krimi Ekonomik etj., heshtin. Ndërkaq, kompania Evita, e cila kishte 85 % të kompanisë DiaVita të koncensionit të hemodializës, ka një histori më interesante. Fillimisht Evita ishte në pronësi të Majlinda Fetiut nga Berati. Kompania rezultonte e regjistruar me adresë një bar-kafe në rrugën “Barrikada” në periferi të Beratit. Lokali modest ishte ndërtuar në gjurmët e një ish gomisterie. Majlinda është vajza e xhaxhait të Klod Allajbeut. Nuk dihet nëse Majlinda dhe bashkëshorti i saj Sali Fetiu, me 6 klasë shkollë, ishin të vetëdijshëm se ishin ‘fitues’ të një koncesioni 84 milionë euro, para që mund t’i kenë parë vetëm në ndonjë film. Paratë e taksapaguesve shqiptarë në duart e Majlindës nga rrethinat e Beratit! Duket e çuditshme se si SPAK-ut nuk i ka bërë ende përshtypje ky fakt”, shprehet gazetari Doçi.

Kamuflimet e Allajbeut

“Kur skemës me kushërirën e parë i doli boja, Majlinda e Allajbeut, në shtator 2016, ia shet kompaninë Evita, pra koncesionin e hemodializës, kushëririt të Petrit Vasilit, Rasim Hamazaraj dhe Ertel Kërçukut, për 30 milionë lekë. Kërçuku ishte një mjek anonim, punonjës i Allajbut. Hamzaraj merr 72.5 % të aksioneve të Evitës, ndërsa Kërçuku 27.5 %. Nga ana tjetër, kur ishte vetë ministër Shëndetësie, Vasili i kishte dhënë Rasim Hamzarait, të cilin e thërriste Dajë Luçi, 13 milionë euro tendera. Siç rezultoi më vonë, Rasimi u përdor thjeshtë si gjethe fiku nga Klodian Allajbeu. Me 10 nëntor 2016 paketa maxhoritare e aksioneve të Evita Sh.p.k, e cila zotërohej nga biznesmeni kontrovers i faramaceutikës Rasim Hamzaraj, u ble nga kompania hollandeze Arimo B.V., për 160 mijë euro. Sot Arimo ka 72.5 % të aksioneve të Evitës, e cila kishte 85 % të koncensionit të hemodializës, ndërsa 27.5% të aksioneve i ka Ertel Kërçuku. Arimo ishte e regjistruar në Holandë në të njëjtën adresë ku rezultonin edhe kompani të tjera të lidhura me Klodian Allajbeun. Arimo ka si adresë Nassaulaan 2 A, 2514 JS, Ëillemspark, Haaglanden, Hagë, Hollandë. Të njëjtën adresë ka edhe kompania VENDEKA EUROPEAN INVESTMENTS B.V, me pronar Klodian Allajbeun. Vendeka është pronare e  kompanisë Agromark në Tiranë. As ky kamuflim nuk ishte i sigurt për Allajbeun”, u shpreh gazetari Doçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related