Rama i kërkon Rithemelimit të bëhet pjesë e pazarit për reformimin e drejtësisë pas presionit të SHBA-BE, grupi i Bardhit pro, “Foltorja” e Berishës kundër

Data

Pavarësisht se opozita nuk bashkoi votën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, socialistët ende shpresojnë në pjesëmarrjen e tyre. Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit deputetët socialistë i shtrinë dje dorën e bashkëpunimit, duke i ftuar t’i bashkohen në atë, që e quajnë luftë të përbashkët kundër korrupsionit. “Kemi ndërtuar një komision të posaçëm për mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, që ju (opozita) keni shumë për të ofruar në këtë betejë frontale”, deklaroi deputeti socialiste, Toni Gogu. Por më e drejtpërdrejtë ishte kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila i bëri thirrje opozitës t’i bashkohet Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion. “Nuk kemi thënë ndonjëherë që jemi imunë ndaj korrupsionit, por vlerësohen përpjekjet për të luftuar korrupsionin, është një luftë që nuk bëhet me shkopin magjik, por përfshirje të të gjithë aktorëve. Uroj që roli i Kuvendit në vijim të përpjekjes së fundit e reformës në drejtësi, të merret në konsideratë e të shtyjë përpara përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit. Uroj të kemi opozitën së bashku me mazhorancën e me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për këtë luftë që është e përbashkët”, deklaroi deputetja e PS, Klotilda Bushka e PS. Pra duket qartë që kryeministri Edi Rama i kërkon Rithemelimit të bëhet pjesë e pazarit për reformimin e drejtësisë. Kjo ftesë vjen pas presionit të SHBA-BE që kërkoi gjithëpërfshirje, ku grupi i Bardhit duket se është pro, ndërsa “Foltorja” e Berishës është kundër. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Reagon deputetja Çupi

Por demokratët shprehen të bindur, se nuk luftohet korrupsioni me një qeveri, që sipas tyre, është e korruptuar. Deputetja Dhurata Çupi tha se nismat e ashtuquajtura kundër korrupsionit të një mazhorance pas 11 vitesh në pushtet janë qesharake. “Dy janë problemet për Shqipërinë, nga vendet post-komuniste jemi vendi më i korruptuar dhe jemi për lirinë e medias, vendi i fundit. Ajo çfarë konstatohet është korrupsioni te prokurimet publike, tenderët, ligjet klienteliste. Janë në rritje 11 vitet e fundit. Të vini në 2024 dhe të thoni po marrim masa parandaluese, është qesharake, ironike dhe tallëse. Kam edhe një kërkesë tjetër, do doja që të kishim një takim me të gjitha organizatat e medias, të vijnë dhe të raportojnë në një seancë të posaçme për lirinë e medias. Nga ana tjetër qeveria ‘ka kryer punë’ me luftën ndaj korrupsionit, s’mund ta bëni ju korrupsionin dhe s’mund ta luftoni ju si qeveri korrupsionin. Dëmin e keni bërë këto 11 vite”, deklaroi Çupi dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se pak ditë më parë Ambasada e SHBA dhe Delegacioni i Bashkimit Europian deklarojnë se nisma e qeverisë për realizimin e një cikël të ri reformash dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet Komisionit të Posaçëm, duhet të ketë edhe përfshirjen e opozitës. Për “Zërin e Amerikës”, përfaqësuesit diplomatikë shprehen se mazhoranca ka hedhur hapa të nxituara në miratimin e rezolutës kundër korrupsionit dhe të Komisionit të Posaçëm pa u bashkërenduar me opozitën. Ambasada e SHBA thekson se Komisioni i Posaçëm antikorrupsion duhet të veprojë duke zbatuar parimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë. “Theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në Parlament për pathyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e Komisionit të Posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”, thuhen në reagimin e ambasadës së SHBA. Ndërkaq edhe delegacioni i BE-së në Shqipëri thotë për Zërin e Amerikës se është e rëndësishme transparenca dhe bashkëpunimi mes forcave politike për arritjen e qëllimit final te këtij komisioni. “Është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta”, thuhen në reagimin e delegacionit të BE në Tiranë. Komisioni i posaçëm antikorrupsion do të ketë një jetëgjatësi prej 10 muajsh. Ai do të jetë i përbërë nga 11 anëtarë, 5 prej të cilëve do të jenë të opozitës e cila ka bërë të qartë se nuk do të jetë pjesë e komisionit, për të cilin thotë se i shërben propagandës së qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related