Ish-kryeministri Sali Berisha dhe enturazhi i tij mediatik, kanë reaguar dje ashpër pas deklaratës së zv/Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar i cili në një intervistë të dhënë në fundmi theksoi se uronte që “drejtimin e opozitës të mos e marrë dikush që na kujton kohët e këqija në vitet ’90”, mesazh ky i qartë për kreun e Rithemelimit. Fillimisht ka qenë ish-kryeministri Berisha, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka kundërshtuar deklaratën e Escobar, teksa shprehet se koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë. Sipas Berishës, në një vend demokratik opozita zgjidhet me votë dhe nuk emërohet me kërcënimet e tipit të Enver Hoxhës për të ngrënë bar. “Reagim ndaj deklaratës së Zotit Gabriel Eskobar. Në një intervistë të tij, dhënë gazetares Ilva Tare, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Gabriel Eskobar ndër të tjera ka deklaruar: “Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Me këtë rast i rikujtoj z. Eskobar sa vijon: Koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë. Në një vend demokratik opozita zgjidhet me votë dhe nuk emërohet me kërcënimet e tipit të Enver Hoxhës për të ngrënë bar. Qytetarët opozitarë me votën e tyre në dy palë zgjedhje pavarësisht manipulimeve, heqjes arbitrare të logos së përfaqësimit, mungesës së plotë të fondeve, komisionerëve dhe numëruesve, kërcënimeve të turpshme, kanë treguar me kurajo se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim. Ata që kërkojnë opozita të emëruara nuk i shërbejnë demokracisë, por putinizimit. Sa për kujtesë vitet ‘90 kanë qenë vitet e zgjimit dhe daljes nga diktatura. Vitet kur Partia Demokratike udhëhoqi revolucionin demokratik të përmbysjes së diktaturës më të egër të Hitlerit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhës dhe kalimin e vendit nga monizmi në demokraci. Në atë kohë James Baker do u thonte shqiptarëve: “Ju keni të drejtë të zgjidhni liderët tuaj”! Sa keq që pas 30 vjetesh një burokrat u thotë atyre se nëse zgjidhni atë që dëshironi do të hani bar! Jam i sigurt që shqiptarët dhe demokratët e kanë shumë të thjeshtë zgjedhjen mes këtyre dy modeleve”, shkruan Berisha.
Peka reagon ndaj deklaratave të Gabriel Escobar: I sinqertë serbofili
Nga ana tjetër, edhe mediat e familjes Berisha kanë reaguar pas deklaratës së zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ka qenë analisti dhe gazetari Çim Peka , i cili njihet si mbështes i flakët i ish-kryeministrit Sali Berisha , teksa ka reaguar me një postim në faqen e tij në “Facebook” ndaj deklaratave të ish-të dërguarit të SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar. “Gabriel Escobar: ‘Nuk na duhet nje opozite si e viteve ‘90. Duam dy parti qe ruajnë njëra tjetrën”! Dmth, Shqipërisë i duhet nje opozite qe ruan qeverie dhe te mos jete e afte te fitoje! I sinqerte serbofili”, shkroi dje Peka.
Ja çfarë tha Escobar
Ndërkohë kujtojmë se Gabriel Escobar, në ditët e fundit të punës së tij si Zëvendës Ndihmës Sekretar tha dy ditë më parë se Shqipëria ka ende probleme me korrupsionin dhe prandaj duhet të ketë parti të afta që të ruajnë njëra-tjetrën. Që të ndodhë kjo Escobar shpreson që opozita të jetë e qartë në udhëheqjen e saj dhe të mos zgjedhë në krye një njeri që kujton kohët e këqija të viteve 1990. “Ka shumë sfida në Shqipëri. Çështja e korrupsionit, manipulimi i disa institucione. Na duhen parti politike të afta që të ruajnë njëra-tjetrën. Ne kemi nevojë për një opozitë që mund të mbajë qeverinë përgjegjëse, që mund t’u ofrojë njerëzve opsione, një sërë opsionesh për t’u përballur me sfidat me të cilat duhet të përballet Shqipëria në rrugën e saj evropiane dhe për këtë duhet që opozita të jetë shumë e qartë se cili është qëndrimi i saj, e qartë për udhëheqjen e saj. Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”, tha Escobar duke folur për Shqipërinë të emisionin Balkan Debrief të gazetares Ilva Tare.
