Ja qarku me kriminalitetin më të lartë dhe qyteti më paqësor në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme zbardh detajet e forta, nga përgjimi i mbi 2600 telefonave, zbulimi i 6 rasteve të korrupsionit në zgjedhje, te 44 dosjet që çuan në SPAK

Data

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi dje për kriminalitetin për vitin 2023 në Komisionin e Ligjeve. Në kuadër të hetimeve, Çela zbuloi se janë përgjuar 2675 telefona në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale. Gjithashtu, prokuroria ka regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur dhe 140 procedime me 151 të pandehur janë dërguar për gjykim. Prokurori Çela tha se është rritur roli aktiv për hetimin e veprës penale të korrupsionit. “Prokurorët kanë rritur rolin aktiv për veprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën duke filluar kryesisht 18 procedime penale, ndaj 16 të filluara në vitin 2022 dhe në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në 31 procedime penale. Ky proces i ka shërbyer  si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 7 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm. Po kështu hetimet proaktive kanë bërë të mundur që të sigurohen të dhëna jo vetëm për veprën penale për të cilën është regjistruar procedimi, por edhe për zbulimin në 6 (gjashtë) raste të kryerjes së veprës penale të korrupsionit dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje, të parashikuara nga nenet 319, 319/c, 319/ç, dhe 328 të Kodit Penal në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, që ka mundësuar kryerjen e hetimeve të mëtejshme nga ajo prokurori,” tha Çela. Gjithashtu 44 procedime penale për korrupsion janë transferuar për kompetencë në SPAK të cilët kanë regjistruar 32 procedime penale.

Qarku me kriminalitetin më të lartë dhe qyteti më paqësor

Po ashtu Çela, zbuloi se qarku me kriminalitetin më të lartë për 100 mijë banorë është Vlorë, ndërsa me kriminalitetin më të ulët qarku Dibër. Ndër të tjera, Çela u shpreh se në vitin 2023 vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit. “Përgjatë vitit 2023, në të gjitha nivelet e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm janë krijuar sërish vakanca të përkohshme dhe të përhershme të 38% të prokurorëve, si pasojë e procesit të vlerësimit kalimtar. Megjithatë, me gjithë problemet me mungesat e theksuara në organikë, prokurorët kanë ushtruar me përgjegjshmëri kompetencat bazuar në kuadrin ligjor. Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara për 100 mijë banorë gjatë 2023, është 872. Ndërsa në 2022 ka qenë 920, pra kemi një ulje sa i përket këtij treguesi. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminaliteti për 100 mijë banorë e ka qarku Dibër, ndërsa më të lartë qarku Vlorë. Sa i përket veprave penale në fushën e lëndëve narkotike, në vitin 2023 ka një rritje të numrit të procedimeve krahasuar me vitin 2022. Numri më i lartë është në qarkun Tiranë, më pas vjen Lezha, Fieri etj, ndërsa numri më i vogël është qarku Sarandë dhe Gjirokastër. Përsa i përket veprës penale të “dhunës në familje” për vitin 2023 janë regjistruar 1396 procedime penale, me 1078 të pandehur, me një ulje prej 3.92 për qind të procedimeve krahasuar me vitin 2022. Efektiviteti i ndjekjes penale dhe numri i çështjeve të dërguara në gjyq është i lartë. 89.04 për qind e kërkesave për masë sigurimi me arrest është tregues në rritje krahasuar me vitin 2022. Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31.7%. Në vitin 2023 vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit”, tha ndër të tjera kryeprokurori Çela.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related