Ilir Meta shton dyshimet se BKH i sekuestroi kompjuterët, sulmon Altin Dumanin pas dëshmisë në Prokurorinë e Tiranës për denoncimin se i kanë marrë e serverin e të dhënave të Partisë së Lirisë

Data

Gazeta “Euro Albania” ka nxjerrë shpesh fakte për publikun, i cili nuk di gjithçka që ndodh prapa skene me drejtësinë e re dhe veçanërisht, me prokurorët e SPAK dhe Gjyqtarët e GJKKO. Personat që ata po hetojnë si pjesë e krimit të organizuar dhe eksponentë nga politika e lartë e tranzicionit korruptiv, për mbi 30 vite e kanë pasur në xhep drejtësinë. Sot që rrezikojnë jo vetëm burgun, por edhe sekuestrimin e pasurisë marramendëse që kanë vënë duke grabitur shqiptarët nëpërmjet pushtetit që ata u dhanë me bujari, po tentojnë me të gjitha mënyrat për të shpëtuar veten, familjarët, bashkëpunëtorët dhe plaçkën e vjedhur këto 3 dekada, e cila shkon disa dhjetëra miliard euro. Një nga këto personazhe që po i bëhen gati letrat për burg është ish-presidenti Meta. Ditën e djeshme, Meta ka shtuar dyshimet se ka “shitur” si grabitje në zyrat e Partisë së Lirisë një aksion të SPAK dhe BKH, të cilët i sekuestruan kompjuterët Ilir Metës. Kreu i PL u paraqit dje në prokurorinë e Tiranës për kallëzimin si vjedhje të zhdukjes së një hard disku DVR i zhdukur në Partinë e Lirisë. Por çuditërisht, Meta sulmoi Altin Dumanin e SPAK duke konfirmuar dyshimet se ajo që u paraqit si vjedhje e thjesht mund të lidhet me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për vetë Metën dhe PL. “I gjithë procesi mafioz për të kapur edhe vulën e Partisë së Lirisë duhet që është si rezultatet së trios Rama-Agaçi-Dumani. Kaq,” deklaroi dje Meta.

Akuzat e Metës

Një muaj e gjysmë pas kallëzimit Ilir Meta u pyet dje  për rreth 40 minuta në prokurori, ndërsa deklaroi se nuk pret që të zbardhet. Duke mos dhënë asnjë detaj tjetër Meta, me një trëndafil në dorë, u ankua për mure të palyera dhe ashensor që nuk punon në Prokurorinë e Tiranës. “Është e rëndësishme, është bërë kallëzimi, jam i bindur se nuk mund të ndodhë në një vend ku gjithçka është kapur nga Edi Rama. Jam shokuar nga gjendja e Prokurorinë e Tiranës, një gjendje e tmerrshme. Mal me dosje, nuk kanë ku t’i arkivojnë. Një ashensor që nuk punon, zbrita nga shkallë. Një situatë shumë e rëndë. Komisioni i ligjeve të vijë këtu të shikojë gjendjen,” tha Meta. Në mesin e këtij misteri, dyshohet se Ilir Meta ka zgjedhur të luajë kartën e vjedhjes dhe angazhimin e prokurorisë në kërkim të një hajduti, për t’i treguar SPAK-ut se në fakt i ka zbuluar.

Prapaskenat

Në padi Ilir Meta thotë se qëllimi i marrjes së pajisjes DVR “ka qenë vjedhja e rrjetit të komunikimeve elektronike me të” dhe i kërkon prokurorëve të zbulojnë autorët e kësaj ‘ngjarje kriminale’ sipas tij dhe se cilët janë personat e interesuar për të dhënat elektronike të partisë. Meta thotë se stafi i partisë ka konstatuar edhe “lidhje, këputje dhe dëmtime të linjave kabllore në tarracën e godinës”, po nga persona të paidentifikuar që sipas tij kanë hyrë fshehurazi në selinë që kreu i Partisë së Lirisë thotë se nuk e dinte që gjatë natës nuk kishte roje.  Në kallëzimin e dorëzuar në prokurorinë e Tiranës, Meta flet edhe për ndërhyrje në sistemin e brendshëm telefonik. “Është konstatuar edhe vjedhja e impulseve telefonike dhe ndërhyrja në këtë rrjet nga persona të paidentifikuar, gjoja për të riparuar këtë sistem. Muajt e fundit sistemi i brendshëm telefonik, me të cilin funksionon së bashku edhe rrjeti elektronik, ka pasur defekte të njëpasnjëshme”, shkruan Meta në kallëzim.  Kallëzimi i Metës se në seli ka ndodhur një vjedhje që nuk i ngjason aspak një të tille, ngre dyshime se ndryshimin e hard diskut dhe ndërhyrjen në linjën e komunikimit mund ta ketë bërë SPAK, në kuadër të një hetimi ndaj kreut të Partisë së Lirisë. Në mesin e këtij misteri, Ilir Meta ka zgjedhur të luajë kartën e vjedhjes dhe angazhimin e prokurorisë në kërkim të një hajduti, për t’i treguar SPAK-ut se në fakt i ka zbuluar. Do të ishte jashtë profilit tradicional një hajdut që nuk vjedh sende me vlerë, por përkundrazi, merr një hard disk me vlerë të papërfillshme monetare dhe lë pas një tjetër. E gjithë historia e mistershme në kallëzimin e Metës lë vend edhe për një skenar të dytë të mundshëm, që i lidh sërish veprimet me SPAK dhe hetimet e tij ndaj Ilir Metës. Ish-presidenti e ka nuhatur këtë, dhe e ka bërë vetë ndërrimin e hard diskut për të zhdukur provat që SPAK mund t’i siguronte përmes sekuestrimit të kësaj pajisje.  Mbi dyshime se SPAK mund të ketë gjetur në seli DVR-në e ndërruar nga vetë Meta, për të shmangur akuzat që mund të ngriheshin ndaj tij për fshirjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, Ilir Meta ka denoncuar më tej se në seli i kanë hyrë hajdutët dhe kanë marrë DVR-në. Në të dyja rastet, ka lidhje me një hetim të nisur nga SPAK që ka frikësuar Ilir Metën të shkojë në skenarë hajdutësh që hyjnë lehtësisht në godinë, dinë edhe vendin e çelësit të zyrës ku mbahet hard disku (siç thuhet në kallëzim), dhe aq më tepër, u desh ky hajdut “humanitar” që ka vjedhur aq pak, për ta zbuluar Meta se selia e Partisë së Lirisë ku ai punon çdo ditë, nuk ka roje nate. Një gjë është e sigurt. Dosjet e tij janë drejt fundit të hetimeve dhe shumë shpejt priten fletë-arrestet. E rrezikuar është e gjithë kupola e ish-LSI, ku zyrtarët e kësaj partie janë thirrur një nga një në Prokurorinë e Posaçme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related