Anila Denaj u rikthye në qeveri për të drejtuar ministrinë e bujqësisë, dy muaj pas pezullimit të miliona eurove grante që Shqipëria merrte si mbështetje për bujqësinë nga Bashkimi Evropian përmes programit IPARD. Në korrik të vitit të kaluar, Komisioni Evropian ndërpreu pagesat për IPARD II dhe njëkohësisht ‘ngriu’ IPARD III. Kur Brukseli lajmëroi vendimin ekstrem Shqipëria po bëhej gati të niste programin IPARD III, që parashikonte 146 milionë euro mbështetje në bujqësi. “…komisioneri, nëpërmjet drejtorisë së bujqësisë të KE, ka adresuar lënien në pritje për IPARD 3, i cili ka 9 programe, kërkon një institucion zbatues më të fortë, që të mësojë nga gabimet në IPARD 2 dhe të bëhet gati për 3-shin.”, deklaroi ministrja e bujqësisë Anila Denaj, gjatë një interviste televizive pak kohë pas marrjes së detyrës.
Ku jemi sot?
Edhe pse autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesat dhe kushtet që vendi të rifitojë fondet e ndërprera për bujqësinë nga Komisioni Evropian, për shkak të dyshimeve për korrupsion, nga BE nuk ka asnjë dritë jeshile. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ndërkombëtarët kërkojnë të dënohen përgjegjësit, në mënyrë që këto raste të mos përsëriten sërish. Ata që kryen këto abuzime janë ende të lirë edhe pse SPAK ka hapur hetime. Frida Krifca dhe zinxhiri drejtues i AZHBR deri më tani ja kanë hedhur paq. Para pak javësh zëvendës ministri i bujqësisë Dhimitër Kote deklaroi se programi IPARD III do të jetë funksional vitin e ardhshëm – vit i cili përkon me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Majde, zëvendësministri lë të kuptohet se procesi i vlerësimit për hapjen apo jo të IPARD III-shit, është normal dhe nuk ka të bëjë me hetimet për korrupsion. “…Për vitin 2025 ajo skemë do të jetë funksionale. Çdo proces ka kohën e vet, sepse ne përthithëm dy masa IPARD I dhe II. Bëhet analiza e tyre dhe pastaj shpallet për 2025-ën IPARD III,” deklaroi zëvendës ministri i bujqësisë Dhimitër Kote.
Shqipëria nuk ka ende një datë
Nisur nga kjo deklaratë, reagoi Komisioni Evropian. Zëdhënësi për tregtinë dhe bujqësinë pranë Komisionit Evropian, Olof Gill i bëri të qartë Faktojes se Shqipëria ende nuk ka një datë për çeljen e fondeve. “Duke qenë se procedura është ende në vazhdim, për momentin nuk mund të jepet më shumë informacion. Si masë paraprake, ndërprerja e rimbursimeve nga Komisioni Evropian për autoritetet shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD 2014-2020 do të mbetet në fuqi deri në një njoftim tjetër”, u shpreh KE për Faktoje. Gill theksoi se fillimi i zbatimit të programit IPARD në Shqipëri varet nga rezultati i procesit hetimor që është në vazhdim. Deklaratën e zëvendësministrit u detyrua ta përgënjeshtronte edhe Ministria e Bujqësisë. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje ky institucion bën të ditur se rikthimi i programit IPARD III në Shqipëri varet nga disa kushte. “Programi IPARD III përpara fillimit të zbatimit të tij, duhet të plotësojë kushtet sipas nenit 13 të Marrëveshjes Financiare në Kuadër të Partneritetit, miratuar me ligjin 65/2022”, tha Ministria e Bujqësisë. Qeveria shqiptare duhet të vërtetojë ndër të tjera se respekton parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, transparencës dhe mosdiskriminimit, si dhe të garantojë mbrojtje të interesave financiare të BE-së, duke zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare që mundësojnë parandalimin, identifikimin, raportimin dhe korrigjimin e parregullsive për mashtrim.
Mesazhi i fortë i Brukselit
Në pritje të hapave pasues, Brukseli nuk ka harruar këto kohë të ripërsërisë thirrjen ndaj institucioneve në Shqipëri që ta trajtojnë çështjen me seriozitet. “Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje.”, thekson BE duke shtuar: ‘Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale edhe në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet. Meqenëse procedura është në vazhdim e sipër, nuk mund të jepet asnjë informacion i mëtejshëm”, thotë BE.
