Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë një marrëveshje të heshtur politike që i ka fillesat që nga viti 2005, kur kreu i qeverisë shqiptare erdhi në krye të Partisë Socialiste. Pakti i fshehtë ende vazhdon dhe tani Rama në pozitën e tij të vështirë që ndodhet së fundmi, duke përmendur skandalet që i kanë plasur dhe presionin ndaj SPAK, i ka varur shpresat e mbijetesës në politikë nëpërmjet fuqizimit të kryefoltorisitit. Tashmë bashkëpunimi i Berishës dhe Ramës nuk është më i fshehtë. Kryetarja e Kuvendit veproi dje në mënyrë të jashtëligjshme, të vendos në mënyrë private se kush është Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar. Nëpërmjet një njoftimi nga Kuvendi, bëhet e ditur se Orjola Pampuri dhe Arbi Agalliu janë shkarkuar si sekretar dhe nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në vend të tyre janë emëruar Ervin Salianji dhe Albana Vokshi si nënkryetar grupi dhe Elda Hoti, si sekretare e grupit parlamentar.
Detajet
Për këto shkelje të njëpasnjëshme, ajo edhe është paditur në SPAK nga PD për shpërdorim detyre. Aktualisht statusin ligjorë-juridik si PD, e ka vetëm forca politike me kryetarë Lulzim Basha. Kjo parti ka edhe grupin e saj parlamentarë, për drejtimin e të cilit është komanduar deputetja, Flutura Açka. Se cila është PD ligjore përveç KQZ, Kolegjit Zgjedhorë dhe KAS në zgjedhjet e fundit të 14 majit dhe ato në Kukës, e ka certifikuar edhe vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit, e cila hodhi poshtë “Këshillin Kombëtarë” të Gazment Bardhit dhe rikonfirmoi se ka vetëm një PD me kryetarë Lulzim Bashën. Njëkohësisht pritet edhe vendimi përfundimtarë i Apelit për “Vulën” e PD, por duket se Nikolla nuk pyet për gjykatat shqiptare dhe vazhdon që të rëndojë pozitën e saj penale, duke shpërdoruar detyrën e lartë dhe shkelur Kushtetutën e cila i njeh partitë si etnitete të Republikës dhe e ka të përcaktuar qartë legalitetin juridik të tyre. Ky grup parlamentarë që drejtohet nga Gazment Bardhi, ka për kryetarë Sali Berishën i cili drejton një lëvizje të quajtur “Rithemelim”, e cila nuk njihet nga të gjitha gjykatat dhe KQZ, ndaj në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara që kur është krijuar, ajo garon nën ombrellën e Partisë së Lirisë të Ilir Metës.
Pazari me komisionet
Pakti i tyre flet qartë, pasi dy ditë më parë u arti marrëveshja mes PS dhe grupit të Berishës se në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, në listën e dëshmitarëve që do të thirren nuk janë kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sikundër kërkonte më herët Rithemelimi. Kjo marrëveshje e arritur mes tyre, tregon se pavarësisht përplasjeve dhe zhurmës që bëjnë nëpër media dhe Komisione Hetimore, tani më duket qartë se të dyja palët (PS dhe Rithemelimi) janë bashkë dhe po ndihmojnë njëra-tjetrën, me veprimet apo mos veprimet e tyre. Pra faktet vazhdojnë të shtohen duke treguar se Rama është njeriu më i interesuar që Berisha të mos dalë në pension, por të vazhdojë sa të ketë frymë të jetë në politikë. Pra Rama po tregon se është avokati më i fortë i ish-kryeministrit Sali Berisha sot për sot. Nëse amerikanët dhe britanikët e përzunë Berishën nga dera dhe me “shkelma” nga politika, Rama po përdor kryeparlamentaren Lindita Nikolla që ta fusë plakun “non-grata” në sistem (politikë dhe Kuvend) nga dritarja nëpërmjet “karremit” Gazment Bardhi. Pra duket qartë se çifti Berisha dhe Rama po bëjnë përpjekjen e radhës kundër SHBA dhe SPAK, pasi po tentohet rehabilitimi i kreut të Rithemelimit dhe çetës së tij në Parlament.
