Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është shënuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:44, në rrugën e re të Portit, në zonën e njohur si “Marfish”. Sipas informacionit paraprak të Policisë, një automjet tip Benz, i drejtuar nga shtetasi L. K., 28 vjeç, ka përplasur një këmbësor.
Si pasojë e goditjes së fortë, këmbësori R. M., 68 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda të marra.
Menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes, ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.
