Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka reaguar dje ashpër e madje ka ngritur alarmin, teksa zbuloi dje se, rezoluta anti-korrupsion e Partisë Socialiste synon të ndërhyjë në reformën në drejtësi përmes Parlamentit. Në një konferencë për shtyp së bashku me përfaqësuesin ligjor të PD, Rezart Kthupi, Alibeaj duke iu referuar projektrezolutës së propozuar një ditë më parë nga grupi parlamentar i PS-së, u shpreh se djalli qëndron në detaje. Duke cituar pikën 7 të rezolutës ku thuhet se “palët angazhohen të garantojnë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj, rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë, fuqizimin e pavarësisë dhe paanësisë së pushtetit gjyqësor, nxitjen e cilësisë së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies e transparencës”, Alibeaj tha se synimi është të ndërhyhet në Reformën në Drejtësi. “Për shembull në pikën 7 të rezolutës thuhet se “palët angazhohen të garantojnë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj, rritjen e efiçencës së sistemit të drejtësisë, fuqizimin e pavarësisë dhe paanësisë së pushtetit gjyqësor. Nxitjen e cilësisë së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogari dhënies e transparencës”. Me fjalë të tjera, kushdo kupton synimi i deklaruar tashmë aspakt i fshehur është, të ndërhyhet në Reformën në Drejtësi. Të ndërhyhet nëpërmjet Parlamentit në korpusin legjislativ edhe strukturor të sistemit të drejtësisë. Nuk e fshehin në aspak, teksa në pikën 8 të rezolutës e thonë që për këtë synim duam të përdorim këtë mjet: “ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar, madje dhe të përhershëm që do të ketë si target të vet mirëqeverisjen, sundimin e ligjit, anti-korrupsionin, hartimin e një plani kombëtar veprimi”. Kjo është ajo se çfarë dje është thënë dhe që ndoshta në sytë e publikut nuk është bërë aq e perceptueshme. Tani disa pyetje dalin të logjikshme, të thjeshta lidhur me këtë përmbajtje të kësaj rezolute, që është në fakt një veprim politik”, deklaroi ai.
Rama i korruptuar
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj propozimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm është bërë nga kryeministri më i korruptuar i qeverisë, që sot është objekt i hetimit të SPAK e GJKKO. “Pyetja e parë është, kush? Kush e ka propozuar? Dhe të gjithë njerëzit e kuptojnë dhe publiku e kupton që është propozuar nga kryeministri më i korruptuar, i qeverisë më të korruptuar të këtij shteti që sot është objekti i hetimit të SPAK dhe GJKKO. Dhe këtu e shihni dhe besoj kushdo e kupton absurdin e madh, diferencën e madhe, përplasjen e madhe etiko, morale, politike po të doni ju. I hetuari kërkon të ndryshojë rregullat e atij që heton. Si do ta bëjë? – duke përfshirë në këtë rast edhe Kuvendin. Me një nismë politike e cila siç e thash më sipër e shkruar në rezolutë, kërkon, synon të godas sistemin e drejtësisë. Dhe kjo është pyetja e parë, dhe pyetja e parë që unë besoj rrëzon të gjithë sinqeritetin, nevojën e kësaj projektrezolute”, u shpreh ai.
SPAK po ecën drejt majës së qeverisë
Sakaq, sipas Alibeajt, SPAK po ecën me hapa të vegjël por të sigurt dhe po shkon drejt kryeministrit të korruptuar. Alibeaj tha se nëse do të ngrihet një komision i Posaçëm, PD nuk do të jetë pjesë. “Celula jashtë syrit të publikut jashtë transparencës që nuk prodhojnë asgjë nuk bëhemi pjesë! Deri tani jemi në fazën e angazhimit se por rezolutë është, nga synimet e deklaruara, një komision që do të korrigjojë ligjet e reformës në drejtësi? JO. Çfarë janë miratuar ndryshime kushtetuese, 7 ligje, edhe në 2017 ku PD nuk mori pjesë për shkak se Rama dhe Meta nuk donin, gjetën zgjidhjen për ta bërë në mënyrë të njëanshme ne s’duhet ti ndryshojmë. Koha ka treguar që institucionet po funksionojnë, SPAK po funksionon s’ka nevojë ta ndryshojmë, i duhet kohë. Çdo ndërhyrje jo e sinqertë politike, se vetëm Rama s’ka shkuar, të tjerët e kanë bërë nga një xhiro, është sinjal për ti thënë SPAK-ut, ndalu se ne jemi këtu të pengojmë”, nënvizoi Alibeaj
