Gazment Bardhi njoftoi se SPAK e ka thirrur të dëshmojë për “Xibrakën”, Edi Rama e paralajmëron se tani prokurorët mund t’i vendosin protezat e ligjit

Data

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka reaguar dje pasi  deputeti i PD Gazment Bardhi publikoi shkresën përmes të cilës njoftoi se SPAK ka rinisur hetimet për të ashtuquajturën dosje të “Xibrakës” dhe se është thirrur nga organi i akuzës për të dëshmuar. Në llogarinë e tij në platformën “X”, kryeministri shkroi se drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova. Sipas kryeministrit, pas dëshmisë së Bardhit, të cilit në këtë postim i referohet si “B-ja e vogël me gojë të madhe”, SPAK i ka të gjitha mundësitë që të ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. “Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallëzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet liria, o e gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme”, shkruan Rama.

Lajmi që dha Bardhi

Prokuroria e Posaçme e njohur si SPAK, ka rihapur dosjen e laboratorit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasan. Sipas opozitës, pjesë e kësaj çështje është dhe vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama. Lajmi u bë me dije nga vetë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Bardhi njoftoi se pas kërkesës në SPAK për rinisjen e hetimeve për këtë çështje, sot është njoftuar nga organi i akuzës se çështja është riaktivizuar dhe do të paraqitet në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në datën 15 maj. “E kam dorëzuar apo nuk e kam dorëzuar kallëzimin në SPAK kundër Ols Ramës? Këtë lojë u përpoq të bënte Edi Rama dhe veglat e tij politike dhe mediatike për të sfumuar thelbin e çështjes: se vëllai i kryeministrit kishte përdorur disa herë të njëjtën makinë me kartelin e drogës së Xibrakës, gjatë kohës së ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sigurisht, që Edi Rama gënjeu, kur luajti lojën e mohimit të së vërtetës sime, se kallëzimi ishte dorëzuar në SPAK. Kur debatuam për këtë çështje i premtova Edi Ramës se do ta kuptonte shumë shpejt, nëse e kisha bërë apo jo kallëzimin. Në politikë jam futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes. Nuk e kam shkelur këtë parim as në rastin e Olsi Ramës, dosja e të cilit, deri dje, rrinte e fshehur, në sirtarët e prokurorisë. Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia. Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej,  sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar. SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të mëtejshme në SPAK. Asnjë propagandë e Edi Ramës, veglave të tij apo mediave në shërbimin e tij nuk e fshehin dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama!”, shkroi Bardhi në postimin e bërë më herët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related